“Meta” po eksperimenton me shërbime me pagesë për disa prej platformave më popullore, si Instagram, Facebook dhe WhatsApp. Në abonimet e reja premium që do të implementohen, pritet të ofrohen funksione të avancuara dhe përfshirje e inteligjencës artificiale.
Kompania thekson se të ardhurat nga reklamat nuk mjaftojnë më për të mbuluar shpenzimet për shërbimet e bazuara në inteligjencë artificiale dhe kjo ka sjellë ndryshimin e strategjisë. Për këtë arsye, abonimet premium pritet të ofrojnë të ardhura shtesë, ndërsa versionet falas do të mbeten për të gjithë përdoruesit.
Mes avantazheve që do të ofrohen për përdoruesit me pagesë janë në Instagram: të shohësh në mënyrë anonime “story”-t pa u zbuluar nga krijuesi, informacione mbi ndjekësit që nuk kthejnë “follow”, por edhe lista të pafundme për menaxhimin e ndjekësve dhe shpërndarjen e përmbajtjes.
Për momentin nuk janë publikuar ende detaje specifike për Facebook dhe WhatsApp. Megjithatë, vëmendja do të jetë te forcimi i ndërveprimeve, ndarja e përmbajtjeve dhe për WhatsApp te mjetet profesionale për përdoruesit si biznes.
Një pjesë kyçe e strategjisë së re lidhet me Inteligjencën Artificiale. Meta ka integruar “Manus”, startup e inteligjencës artificiale e blerë në dhjetor 2025 për rreth 2 miliardë dollarë. Ajo zhvillon agjentë inteligjentë, që mund të kryejnë detyra komplekse në mënyrë autonome sipas udhëzimeve të përdoruesve dhe cilësohet si një hap përtej chatbot-eve tradicionale.
Vibes është një tjetër aplikacion i bazuar te Inteligjenca Artificiale, që mund të kalojë në versionin “freemium”, pra edhe falas por edhe si shërbim premium me pagesë. Nëpërmjet tij mund të gjenerohen video të shkurtra të krijuara dhe të montuara inteligjenca artificiale. Aksesi bazë i mbetet falas, por krijimi i përmbajtjes shtesë do të kërkojë abonim. Pagesa për këto aplikacione pritet të lançohet në muajt e ardhshëm të vitit 2026, duke shënuar një ndryshim rrënjësor në mënyrën e monetizimit të rrjeteve sociale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)