Një avion luftarak F-16C shpërtheu në flakë pasi u rrëzua në një zonë shkretinore pranë “Luginës së Vdekjes” në Kaliforni, të mërkurën. Piloti, pjesë e Forcave Ajrore elitare të SHBA-së “Thunderbirds”, arriti të katapultohej me sukses dhe të mbijetonte pa lëndime të serioze.
Sipas raportimeve, piloti pësoi vetëm dëmtime të lehta dhe u dërgua për trajtim në spitalin e Ridgecrest. Pamjet dramatike treguan momentin kur ai u katapultua nga avioni në rënie të lirë, hapi parashutën dhe zbriti në mënyrë të sigurt, ndërsa pas pak sekondash F-16 u përplas në tokë duke shpërthyer menjëherë në flakë pranë aeroportit Trona. Vlera e një F-16 të ri luhatet nga 30 deri në mbi 60 milionë dollarë.
Ngjarja u raportua rreth orës 01:45 të mëngjesit me orën lokale. Gjashtë avionë të Thunderbirds kishin nisur stërvitjen atë mëngjes, por vetëm pesë u kthyen në bazë. Ky ekip njihet për akrobacitë precize që kryen nëpër shfaqje ajrore, me qëllim promovimin e fuqisë ajrore amerikane dhe rekrutimin në ushtri.
Shërbimi i Zjarrfikësve të San Bernardino njoftoi se piloti ishte i vetmi person në bord dhe se nuk kishte rrezik për zonën përreth.
Ngjarja ndodhi pranë bazës NAWS China Lake, një qendër kyçe e testimit të armëve të ushtrisë amerikane. Zona, e izoluar rreth 130 milje nga Los Anxhelosi, përdoret rregullisht për stërvitje, ku pilotët e Thunderbirds praktikojnë manovra me shpejtësi e rrezikshmëri të lartë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)