Autoritetet franceze kanë parandaluar një sulm të dyshuar me bombë në Paris, duke arrestuar një person që po tentonte të aktivizonte një pajisje shpërthyese artizanale pranë një dege të Bankës së Amerikës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, rreth orës 03:30, në zonën elitare të distriktit të 8-të, pranë Champs-Élysées. Sipas burimeve pranë hetimit, i dyshuari u ndalua menjëherë pasi vendosi një pajisje të përbërë nga rreth 5 litra lëng i dyshuar si karburant dhe një mekanizëm ndezës.
Prokuroria franceze kundër terrorizmit ka marrë në dorë çështjen dhe ka nisur hetime për “komplot kriminal terrorist”. I dyshuari ndodhet në paraburgim, ndërsa autoritetet janë në kërkim të një personi të dytë që dyshohet se ishte i pranishëm në vendngjarje dhe është larguar.
Në hetime janë përfshirë policia gjyqësore e Parisit dhe shërbimi i inteligjencës së brendshme DGSI.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, përgëzoi reagimin e shpejtë të forcave të rendit, duke theksuar se vigjilenca mbetet në nivele shumë të larta për shkak të kontekstit aktual ndërkombëtar.
Ndërkohë, pajisja shpërthyese është neutralizuar dhe po analizohet nga ekspertët kriminalistikë për të zbuluar më shumë detaje mbi përbërjen dhe qëllimin e saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)