Trump firmos strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA, kritikon Europën: Qytetërimi i saj mund të zhduket!

Donald Trump ka nënshkruar dokumentin e strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare Amerikane, me fokusin te marrëdhëniet e SHBA-së me Europën, Rusinë dhe Kinën. Objektivi kryesor është ndalja e luftës në Ukrainë ndërsa Presidenti kritikon ashpër BE-në dhe rolin e saj.

Burimi: Corriere della Sera

05.12.2025. 16:18 >> 16:32

Trump firmos strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA, kritikon Europën: Qytetërimi i saj mund të zhduket!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka nënshkruar dokumentin e strategjisë së Sigurisë Kombëtare me objektiva që përfshijnë përfundimin e luftës në Ukrainë, sigurimin e stabilitetit strategjik me Rusinë dhe ruajtjen e një marrëdhënieje të dobishme ekonomike me Kinën.

Në dokumentin prej 33 faqesh publikuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë nënvizohet se Donald Trump dëshiron të ruajë një prani më të madhe ushtarake amerikane në Hemisferën Perëndimore për të luftuar migracionin, trafikun e drogës dhe ngritjen e fuqive rivale në rajon.

Dokumenti, i ndarë sipas rajoneve, diskuton gjithashtu rolin e Evropës në rendin global, duke listuar disa pasazhe shumë të ashpra rreth Kontinentit të Vjetër, të cilin Trump e konsideron një qytetërim "në rënie".

"Zyrtarët amerikanë janë mësuar të mendojnë për problemet e Evropës në terma të shpenzimeve të pamjaftueshme ushtarake dhe stanjacionit ekonomik. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por problemet e vërteta të Evropës janë më të thella. Rënia e saj ekonomike është eklipsuar nga perspektiva shumë reale dhe e zymtë e zhdukjes së qytetërimit", thuhet në dokument.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Trump thotë se "është në interesin kryesor të SHBA-ve të negociojnë një ndërprerje të shpejtë të luftës në Ukrainë me qëllim stabilizimin e ekonomive evropiane, parandalimin e përshkallëzimit dhe zgjerimit të padëshiruar të luftës dhe rivendosjen e stabilitetit strategjik me Rusinë, si dhe për të mundësuar rindërtimin pas luftës të Ukrainës në mënyrë që ajo të mbijetojë si shtet".

Por në këtë dokument nuk kritikohet aspak Moska. Në vend të kësaj, ai rezervon disa nga komentet e tij më të ashpra për disa aleatë në Evropë.

"Administrata Trump e gjen veten në kundërshtim me zyrtarët evropianë që kanë pritje jorealiste për luftë, të rrënjosura në qeveri të paqëndrueshme të pakicës , shumë prej të cilave shkelin parimet themelore të demokracisë për të shtypur opozitën. Një shumicë e madhe në Evropë dëshiron paqe, por kjo dëshirë nuk po përkthehet në politikë kryesisht për shkak të përmbysjes së proceseve demokratike nga këto qeveri. Çështjet më të gjera me të cilat përballet Evropa përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë liritë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikt , censurën e lirisë së shprehjes dhe shtypjen e opozitës politike, duke shkaktuar një rënie të niveleve të lindjeve, me humbjen e identitetit kombëtar dhe vetëbesimit”, nënvizohet aty.

Administrata, me terma të fshehura, kritikon përpjekjet për të kufizuar ndikimin e opinioneve të krahut të djathtë, duke e quajtur atë një formë censure. Dokumenti gjithashtu duket se sugjeron që migrimi do ta ndryshojë rrënjësisht identitetin evropian, deri në atë pikë sa mund të dëmtojë aleancën ekonomike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara. 

Në planin afatgjatë, është më se e besueshme që brenda disa dekadave, në rastin më të mirë, disa anëtarë të NATO-s do të bëhen kryesisht jo-evropianë. Kjo ngre pyetjen nëse ata do ta shohin vendin e tyre në botë ose aleancën e tyre me Shtetet e Bashkuara në të njëjtën mënyrë si ata që nënshkruan Traktatin e NATO-s”, thuhet në tekst.

Në këtë skenar, SHBA-të thuhet se po vazhdojnë procesin e shkëputjes nga NATO. Sipas një raporti ekskluziv nga  Reuters, Shtetet e Bashkuara  do të donin që Evropa të merrte kontrollin  e shumicës së aftësive mbrojtëse konvencionale të Aleancës, nga inteligjenca te raketat, deri në vitin 2027. Qëllimi i SHBA-së thuhet se u përcoll gjatë një takimi këtë javë në Uashington midis stafit të Pentagonit që mbikëqyr politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve evropiane.

Megjithatë, dokumenti i  Strategjisë së Sigurisë Kombëtare  njeh rëndësinë ekonomike dhe kulturore të Evropës, si dhe faktin se aleanca e SHBA-së me pjesën më të madhe të Kontinentit të Vjetër e ka ndihmuar Amerikën.

"Ne nuk mund të përballojmë ta lëmë mënjanë Evropën. Kjo do të ishte kundërproduktive për qëllimet e kësaj strategjie. Qëllimi ynë duhet të jetë ta ndihmojmë Evropën të korrigjojë trajektoren e saj aktuale.

Një nga shqetësimet e shprehura është dhe rritja e prezencës së Kinës në Europë dhe ansjelltas. Sipas dokumentit të nënshkruar nga Trump, "lufta në Ukrainë ka pasur efektin e kundërt të rritjes së varësisë së jashtme të Evropës, veçanërisht të Gjermanisë”.

Sot, kompanitë kimike gjermane po ndërtojnë disa nga fabrikat më të mëdha në botë në Kinë, duke përdorur gazin rus që nuk mund ta sigurojnë në vendin e tyre”, thotë dokumenti.

Strategjia e re duket se pasqyron më mirë vizionin e Trump, të cilin dokumenti e përcakton si një "President të Paqes" i cili përdor diplomacinë në mënyra jokonvencionale.

Aty po ashtu pohohet se Shtetet e Bashkuara nuk mund të merren më me pjesën tjetër të botës.

"Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, elitat e politikës së jashtme amerikane u bindën se dominimi i përhershëm amerikan i të gjithë botës ishte në interesin më të mirë të vendit tonë. Por punët e vendeve të tjera janë me interes për ne vetëm kur aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona", pohon doktrina aktuale. 

Trump deklaron në dokument se ky është “udhërrëfyesi për të siguruar që Amerika të mbetet kombi më i madh dhe më i suksesshëm në historinë e njerëzimit dhe shtëpia e lirisë”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)