“Europa po shkon në drejtim të gabuar”, Trump godet BE-në pas gjobës ndaj Musk

Gjoba 120 milionë euro që Bashkimi Europian vendosi ndaj platformës ‘X’ të Elon Musk nuk ka lënë aspak përshtypje pozitive në Uashington.

Burimi: NEWSMAX

09.12.2025. 10:47

“Europa po shkon në drejtim të gabuar”, Trump godet BE-në pas gjobës ndaj Musk

Presidenti amerikan Donald Trump u kujdes t’i dërgonte një mesazh BE-së, duke evidentuar se “Europa është duke shkuar në drejtim të gabuar".

Trump shkoi edhe më tej duke e cilësuar gjobën e diktuar nga rregullatorët e teknologjisë në BE “të ndyrë” dhe tha se nuk e kuptonte se si rregullatorët evropianë mund ta justifikonin një vendim të tillë.

Evropa po shkon në disa drejtime të gabuara. Nuk e kuptoj si mund ta bëjnë këtë”, u tha Trump gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se priste të merrte një raport të plotë mbi gjobën e BE-së më vonë.

Ai shtoi se Musk nuk e kishte telefonuar për t’i kërkuar ndihmë për këtë çështje por lëshoi një thirrje drejt unionit duke thënë: “Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme.”

Trump, javët e fundit, ka paraqitur një strategji të re për marrëdhëniet e SHBA-së me BE-në, e cila veçon Evropën, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë evidenton se unioni ka dështime sistemike në zbatimin e ligjeve të imigracionit, mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe konkurrueshmërinë ekonomike.

Trump më herët gjatë këtij muaji po ashtu ka deklaruar se qeveritë evropiane po “humbasin kontrollin e kufijve të tyre.” Ai paralajmëroi se rregulloret e fjalës në BE janë “një kërcënim për lirinë perëndimore.”

Për më tepër sipas tij industritë amerikane po dëmtohen nga ajo që Presidenti amerikan e cilëson si “burokracia kundër rritjes” e Evropës.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian vendosën dënimin ndaj platformës ‘X’ pasi rregullatorët arritën në përfundimin se kompania kishte dështuar vazhdimisht të respektonte detyrimet për moderimin e përmbajtjes dhe transparencën, të kërkuara nga Akti i Shërbimeve Digjitale.

Rregullatorët e kanë akuzuar ‘X’ për lejimin e përhapjes së përmbajtjes së ndaluar gjatë disa ngjarjeve të profilit të lartë dhe për refuzimin e ofrimit të të dhënave të kërkuara mbi mënyrën se si postimet përforcohen në platformë. Zyrtarët thonë se këto mangësi çuan në atë që ata e përshkruan si një përgjigje të përshkallëzuar të zbatimit të ligjit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)