“Raketat ruse me mikroçipe amerikanë vranë civilët në Ukrainë”, 5 padi ngrihen në SHBA

Katër kompani të mëdha amerikane të teknologjisë janë paditur në Teksas, pasi mikroçipet e prodhuara prej tyre dyshohet se kanë përfunduar në raketat dhe dronët rusë.

Burimi: Newsmax

10.12.2025. 19:47

“Raketat ruse me mikroçipe amerikanë vranë civilët në Ukrainë”, 5 padi ngrihen në SHBA

Pesë padi të depozituara në Dallas County akuzojnë gjigantët amerikanë të teknologjisë, Texas Instruments, AMD, Intel dhe shpërndarësin Mouser Electronics, se kanë lejuar që mikroçipet e prodhuara në SHBA të përfundojnë në raketat dhe dronët rusë që kanë vrarë civilë në Ukrainë. Sipas padive, komponentët amerikanë janë gjetur vazhdimisht brenda raketave Iskander-M, Kh-101 dhe dronëve Shahed, të përdorura në sulme ndaj qyteteve si Kryvyi Rih, Uman, Rzhyschiv dhe spitali pediatrik Okhmatdyt në Kiev. 

Paditë pretendojnë se kompanitë kanë dështuar të ndalojnë zinxhirin e furnizimit, pavarësisht sanksioneve, ndalesave të eksportit dhe paralajmërimeve të shumta nga agjencitë amerikane dhe ekspertët se çipat e tyre po përdoreshin në armët e Vladimir Putinit. Ato i akuzojnë firmat se “kanë vënë fitimin mbi detyrimet ligjore”, duke mos zbatuar kontrolle efektive për të parandaluar dërgimin e teknologjisë drejt Rusisë dhe Iranit. 

Çdo padi lidh drejtpërdrejt një sulm të përgjakshëm me përdorimin e mikroçipeve amerikane. Familjet e viktimave, përfshirë fëmijë, pacientë të spitalit dhe civilë në ndërtesa banimi, argumentojnë se neglizhenca e kompanive në SHBA ka qenë një faktor thelbësor në humbjet e jetëve në Ukrainë. 

Kompania Mouser deklaroi vetëm se “respekton procesin ligjor” dhe do të përgjigjet në gjykatë, ndërsa kompanitë e tjera nuk kanë komentuar. Paditë theksojnë se dëmet e shkaktuara ishin të parashikueshme dhe se vendimet e marra në Teksas kanë ndikuar drejtpërdrejt në vrasjet e civilëve mijëra kilometra larg. Sipas OKB-së, mbi 14,775 civilë janë konfirmuar të vrarë që nga fillimi i agresionit rus, një bilanc që, sipas padive, është rritur edhe me teknologji të prodhuar në SHBA. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)