SHBA, kontroll të rrjeteve sociale për turistët e huaj

Do të vlerësohet historiku i 5 vjetëve të fundit. Masa është në shqyrtim dhe mund të zbatohet për personat që do të vizitojnë Amerikën për 90 ditë. Mund të kërkohen edhe informacione shtesë për familjarët.

10.12.2025. 23:08

SHBA, kontroll të rrjeteve sociale për turistët e huaj

Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë nga turistët e dhjetëra shteteve, që ti tregojnë autoriteteve historikun e profileve të tyre në sociale të pesë viteve të fundit, si kusht për të hyrë në territorin amerikan. Kjo masë është në shqyrtim dhe mund të zbatohet për ata persona që vizitojnë SHBA-të për 90 ditë, në kuadër të programit ESTA (Sistemi Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit).

Sipas “Washington Post”, propozimi mund të krijojë vështirësi vitin e ardhshëm, mbi të gjitha sepse në atë periudhë në SHBA do të zhvillohet Kupa e Botës. Ky propozim është pjesë e politikës më të ashpër të emigracionit që ka nisur presidenti Donald Trump, që kur është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Siç raportoi “BBC”, ky propozim është paraqitur nga Mbrojtja Doganore dhe e Kufirit, si edhe nga Departamenti i Sigurisë së Brendshme, institucione që janë pjesë të administratës. Propozimi është publikuar përmes një njoftimi në Regjistrin Federal, revistën zyrtare të qeverisë federale.

Aktualisht, ESTA kërkon nga udhëtarët një sasi të kufizuar informacioni dhe një tarifë të vetme prej 40 dollarësh. Ky program është i disponueshëm për qytetarët e rreth 40 shteteve, duke përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Francën, Australinë dhe Japoninë, dhe u mundëson atyre të vizitojnë SHBA-të disa herë brenda një periudhe dyvjeçare.

Propozimi i ri, sipas “BBC”, përfshin gjithashtu mbledhjen e numrave të telefonit dhe adresave të e-mailit që aplikantët për vizë turistike kanë përdorur në pesë dhe dhjetë vitet e fundit, si dhe informacione shtesë për anëtarët e familjes së tyre.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)