Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj dy gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të cilët kanë qenë të përfshirë në hetimet lidhur me veprimet e Izraelit gjatë luftës në Rripin e Gazës.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se sanksionet lidhen me vendimin e fundit të dy gjyqtarëve për të refuzuar një kërkesë të Izraelit. Kjo kërkesë synonte të sfidonte kompetencën e GJND-së për të hetuar krime lufte të dyshuara të kryera gjatë konfliktit kundër Hamasit.
Sipas Rubios, Gjykata ka tejkaluar autoritetin e saj dhe ka shkelur sovranitetin e SHBA-së dhe të Izraelit.
“Ne nuk do të tolerojmë abuzimin me pushtetin nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila vendos padrejtësisht qytetarë amerikanë dhe izraelitë nën juridiksionin e saj,” deklaroi Rubio.
Gjyqtarët e sanksionuar janë Gotcha Lordkipanidze, ish-ministre e Drejtësisë e Gjeorgjisë dhe Erdenebalsuren Damdin, gjyqtare nga Mongolia.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e hyrjes së tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara, si dhe ngrirjen e çdo pasurie apo transaksioni financiar që ata mund të kenë në SHBA.
Nga ana tjetër, Gjykata Ndërkombëtare Penale reagoi ashpër ndaj vendimit të Uashingtonit, duke i cilësuar sanksionet si të papranueshme.
Në një deklaratë zyrtare, Gjykata e Hagës theksoi se refuzon kategorikisht masat amerikane dhe se ato përbëjnë ndërhyrje në pavarësinë e saj gjyqësore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)