Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të enjten se nuk ka nevojë për miratimin e Kongresit për të urdhëruar sulme tokësore në Venezuelë, duke kundërshtuar kritikët që e akuzojnë se ka tejkaluar autoritetin kushtetues me operacionet ushtarake të ndërmarra deri tani.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkonte autorizim nga ligjvënësit amerikanë për të goditur kartelet e drogës në territorin venezuelian, Trump u shpreh se nuk do ta kishte problem t’i informonte, por theksoi se kjo nuk është e detyrueshme. “Nuk do ta kisha problem t’ua thosha, por politikanët i nxjerrin informacionet si në një sitë. Nuk është ndonjë çështje e madhe. Nuk kam pse t’i njoftoj,” tha ai në Zyrën Ovale.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer që nga shtatori disa sulme ajrore ndaj mjeteve të trafikut të drogës në Karaibe dhe Paqësor, operacione që, sipas të dhënave, kanë shkaktuar të paktën 99 viktima, shkruan Newsmax.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka akuzuar Uashingtonin se fushata ushtarake synon ndryshimin e regjimit dhe jo, siç pretendohet, luftën kundër trafikut të drogës.
Sipas Kushtetutës amerikane, presidenti është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, por vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë zyrtarisht luftë. Ky argument është ngritur jo vetëm nga demokratët, por edhe nga disa republikanë.
“Presidenti ka dështuar të provojë autoritetin e nevojshëm sipas ligjit amerikan ose ndërkombëtar për të kryer sulme vdekjeprurëse,” deklaroi deputeti demokrat Gregory Meeks gjatë një debati në Dhomën e Përfaqësuesve.
Ekspertët theksojnë se Trump mund të urdhërojë sulme të kufizuara brenda Venezuelës pa miratimin e Kongresit, por vetëm përkohësisht dhe nëse justifikohen si veprime mbrojtëse ose të kufizuara në qëllim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)