Presidenti i SHBA, Donald Trump, mbajti këtë të martë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pas përvjetorit të parë të mandatit të tij, ndërsa po përballet me kritika nga udhëheqës europianë për planet e tij lidhur me Groenlandën. Trump mbërriti me një orë vonesë në podium, duke mbajtur një dosje të madhe që e quajti listë të “arritjeve” të administratës së tij gjatë 12 muajve të fundit.
Gjatë fjalimit, ai u përqendrua kryesisht tek politikat e imigracionit, duke treguar foto të personave të arrestuar në Minnesota, të cilët sipas tij janë “kriminelë dhe emigrantë të paligjshëm”. Trump theksoi se masat e tij në kufi dhe kundër emigracionit të paligjshëm janë ndër sukseset kryesore të administratës dhe se do të vazhdojë të forcojë ligjet për sigurinë kombëtare.
Ai gjithashtu konfirmoi pjesëmarrjen e tij këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku do të diskutojë edhe çështjen e Groenlandës. Presidenti tha se po shkon në një “vend të bukur në Zvicër” dhe shtoi se ndjehet i mirëpritur.
Planet e tij për Groenlandën kanë shkaktuar reagime të forta nga liderët europianë. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi “plotësisht të papranueshme” rritjen e tarifave nga SHBA, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney u shpreh kundër vendosjes së tarifave mbi çështjen e Groenlandës.
Trump gjithashtu përmendi arritjet ushtarake dhe përfundimin e disa konflikteve ndërkombëtare, duke theksuar se administrata e tij ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër në 12 muajt e fundit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)