Çështja “Epstein”, ish-çifti presidencial Clinton rrezikon gjobë dhe burg

Kongresi ka nisur procedurën, refuzuan të dëshmojnë në kuadër të hetimit, pavarësisht urdhrit zyrtar për tu paraqitur.

22.01.2026. 09:47

Çështja “Epstein”, ish-çifti presidencial Clinton rrezikon gjobë dhe burg

Republikanët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara kanë nisur një procedurë me akuzën e “shpërfilljes së Kongresit” ndaj Bill dhe Hillary Clinton. Vendimi është marrë sepse me gjithë urdhrin zyrtar për paraqitje para Komisionit të Mbikëqyrjes të Kongresit, ish-çifti presidencial, ka refuzuar të dëshmojë në kuadër të hetimit për çështjen “Epstein”.

Procedura u miratua në Komision edhe me votat e disa përfaqësuesve demokratë, duke regjistruar një përshkallëzim të fortë të përplasjes politike mes familjes Clinton dhe administratës Trump. Pas publikimit të dosjeve “Epstein”, autoritetet kanë intensifikuar presionin ndaj ish-presidentit, i cili është shfaqur në disa fotografi të bëra publike në dhjetor.

Me miratimin e Komisionit, çështja kalon tani në seancë plenare. Në rast se procedura miratohet edhe aty, atëherë dosja do t’i kalojë Departamentit të Drejtësisë. Ky i fundit mund të vendosë nisjen e procedimit penal. Në këtë rast, Bill dhe Hillary Clinton rrezikojnë gjobë deri në 100 mijë dollarë, si edhe deri në një vit burg.

Në përpjekje për të shmangur akuzën për “shpërfillje të Kongresit”, avokatët e Bill Clinton kishin propozuar një kompromis: ish-presidenti të dëshmonte vetëm përpara dy anëtarëve kryesorë të Komisionit. Oferta u refuzua dhe u cilësua si “plotësisht e paarsyeshme”. Kryetari i Komisionit, James Comer, deklaroi se kërkesat e Clintonëve tregojnë se ata mendojnë se mbiemri i tyre u garanton trajtim të veçantë, por sipas ligjit, thirrjet zyrtare kërkojnë dëshmi nën betim dhe që të jenë të transkriptuara.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)