Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e tarifave të rënda ndaj Kanadasë, duke kërcënuar me një taksë prej 100% për të gjitha mallrat kanadeze që hyjnë në tregun amerikan, nëse Otava finalizon një marrëveshje tregtare me Kinën.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se një marrëveshje e tillë mes Kanadasë dhe Kinës do të sillte reagim të menjëhershëm nga Uashingtoni.
“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë 100% ndaj të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA,” shkroi ai.
Megjithatë, Trump nuk sqaroi se cilës marrëveshje konkrete i referohej.
Javën e kaluar, kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi një “partneritet strategjik” me Kinën, duke përfshirë edhe uljen e disa tarifave tregtare, një hap që synon forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kanadasë duket se janë përkeqësuar ditët e fundit, veçanërisht pas një fjalimi të Carney-t në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai deklaroi se rendi botëror i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ishte tronditur.
Analistët vlerësojnë se këto deklarata sinjalizojnë rritje të tensioneve tregtare dhe diplomatike mes dy aleatëve tradicionalë, në një kohë kur konkurrenca globale mes SHBA-së dhe Kinës po thellohet gjithnjë e më shumë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)