Dy persona mbetën të plagosur rëndë si pasojë e një sulmi me armë zjarri në kampusin e universitetit Old Dominion në shtetin e Virginia.
Sipas njoftimeve të universitetit, të shtënat ndodhën rreth orës 10:50 në ndërtesën Constant Hall, e cila shërben si godina kryesore e Kolegjit të Biznesit. Sulmuesi hapi zjarr brenda ndërtesës, por më pas u neutralizua, duke i dhënë fund kërcënimit.
Dy personat e plagosur u transportuan në gjendje kritike në spital, teksa ende nuk bëhet me dije identiteti i tyre.
Ngjarja ndodhi në qytetin portual Norfolk, ku ndodhet universiteti me rreth 24 mijë studentë.
Pas ngjarjes, universiteti anuloi të gjitha mësimet dhe aktivitetet për pjesën tjetër të ditës, ndërsa studentëve dhe stafit po u ofrohet mbështetje psikologjike.
Autoritetet federale, përfshirë FBI, po asistojnë në hetim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)