Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka nisur një sulm ndaj Papa Leonit XIV , duke e akuzuar atë se është i dështuar në “politikën e jashtme” dhe duke i bërë thirrje që të “vijë në vete”.
Trump po ashtu tha se Ati i Shenjtë po sillet dhe vepron si politikan, dhe se ai gëzon mbështetjen e së majtës radikale.
“Nuk dua një Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë një armë bërthamore. Leoni duhet të vijë në vete si Papë, të përdorë logjikën e shëndoshë, të ndalojë së qeni i preferuar i së majtës radikale dhe të përqendrohet në të qenurit një Papë i madh, jo një politikan”, shkroi ai.
Presidenti amerikan pohoi gjithashtu se Leoni XIV, Papa i parë i lindur në SHBA, u zgjodh sepse Kisha Katolike mendonte se një Papë Amerikan mund ta menaxhonte më mirë marrëdhënien me Trump.
“Ai u vendos atje sepse është amerikan dhe ata menduan se kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’u marrë me Presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan”, tha ai.
Reagimi i Trump erdhi pak pas deklaratave të Papës në favor të përfundimit të luftës dhe kritikave të tij për atë që e quajti “mashtrimi i plotfuqishmërisë”.
Edhe pse Papa nuk e përmendi Trumpin me emër, mesazhi i tij u pa si i drejtuar nga zyrtarët amerikanë që e kanë lidhur luftën me argumente fetare.
Sakaq të krishterët në mediat sociale e kritikuan menjëherë Trumpin për sulmin ndaj udhëheqësit të Kishës së tyre, të cilin ata besojnë se është pasardhësi i Shën Pjetrit, një nga 12 apostujt e Jezusit.
"Nuk ka asnjë paqartësi në lidhje me situatën tani”, tha për Reuters, Massimo Faggioli, një ekspert i papatit.
Ai i krahasoi komentet me përpjekjet e udhëheqësve të Gjermanisë dhe Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore për të bindur të ndjerin Papa Pius XII që të mbështeste kauzat e tyre.
"As Hitleri dhe as Musolini nuk e sulmuan Papën kaq drejtpërdrejt dhe publikisht", tha Faggioli.
Sakaq, Kryepeshkopi Paul S. Coakley, president i Konferencës së Peshkopëve Katolikë të SHBA-së, tha se ishte i dekurajuar nga komentet e Trump. "Papa Leoni nuk është rivali i tij. As Papa nuk është politikan. Ai është Vikari i Krishtit që flet nga e vërteta e Ungjillit dhe për kujdesin e shpirtrave", tha ai në një deklaratë.
Postimi i plotë i Trump për Papën:
“Papa Leoni është i dobët me krimin dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme. Ai flet për ‘frikën’ e administratës Trump, por nuk e përmend frikën që Kisha Katolike dhe të gjitha organizatat e tjera të krishtera kishin gjatë COVID-it, kur u arrestonin priftërinj, pastorë dhe të gjithë të tjerët për mbajtjen e shërbesave fetare, edhe kur ishin jashtë dhe mbanin një distancë prej 1 metër.
Më pëlqen vëllai i tij, Louis, shumë më tepër sesa ai, sepse Louis është plotësisht MAGA. Ai e kupton situatën, ndërsa Leoni jo! Nuk dua një Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë një armë bërthamore. Nuk dua një Papë që mendon se është e papranueshme që Amerika sulmoi Venezuelën, një vend që po dërgonte sasi masive droge në Shtetet e Bashkuara dhe, më keq akoma, po zbrazte burgjet e veta duke përfshirë vrasës, trafikantë droge dhe kriminelë, duke i dërguar ata në vendin tonë.
Dhe nuk dua një Papë që kritikon Presidentin e Shteteve të Bashkuara për të bërë pikërisht atë për të cilën u zgjodha unë, që është të arrij norma historikisht të ulëta krimi dhe të krijoj tregun më të madh të aksioneve në histori.
Leoni duhet të jetë mirënjohës, sepse, siç e dinë të gjithë, ai erdhi si një surprizë e madhe. Ai nuk ishte në asnjë listë për Papatin dhe u vendos atje nga Kisha sepse ishte amerikan dhe ata menduan se kjo do të ishte mënyra më e mirë për t'u marrë me Presidentin Donald J. Trump. Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan.
Fatkeqësisht, Leoni është i dobët me krimin, i dobët me armët bërthamore, gjë që nuk më pëlqen aspak, as fakti që ai takohet me mbështetës të Obamës, siç është David Axelrod, një i dështuar i së Majtës, i cili ishte një nga ata që donin që besimtarët dhe kleri të arrestoheshin.
Leoni duhet të vijë në vete si Papë, të përdorë logjikën e shëndoshë, të ndalojë së shërbyeri të Majtës Radikale dhe të përqendrohet në të qenit një Papë i madh, jo një politikan. Kjo po e dëmton shumë atë dhe, më e rëndësishmja, po dëmton Kishën Katolike!
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)