Operacion kundër karteleve në Meksikë, humbin jetën dy agjentë të CIA-s

Ky incident vjen në një kohë kur CIA ka shtuar ndjeshëm aktivitetin e saj në Meksikë, duke u fokusuar në goditjen e karteleve të drogës.

Burimi: CNN

21.04.2026. 19:53

Operacion kundër karteleve në Meksikë, humbin jetën dy agjentë të CIA-s

Zbardhen detaje rreth vdekjes së dy zyrtarëve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në Meksikë, fundjavën që lamë pas.

Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, dy viktimat rezultojnë të kenë qenë të lidhur me CIA-n dhe po bashkëpunonin me autoritetet meksikane në operacione kundër trafikut të drogës.

Në të njëjtin aksident humbën jetën edhe dy zyrtarë meksikanë të Agjencisë Shtetërore të Hetimit (AEI).

Raportohet se zyrtarët po ktheheshin nga një operacion antidrogë në zonën e Morelos, kur automjeti i tyre u përfshi në aksident në autostradën që lidh Chihuahua me Ciudad Juárez. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, presidentja Claudia Sheinbaum deklaroi se qeveria federale nuk kishte dijeni për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes autoriteteve lokale në Chihuahua dhe personelit të ambasadës amerikane, duke theksuar se çdo bashkëpunim i tillë duhet të miratohet në nivel federal.

Ambasadori amerikan në Meksikë reagoi përmes një mesazhi publik, duke shprehur ngushëllime për humbjen e jetëve dhe duke e cilësuar ngjarjen si një kujtesë të rreziqeve me të cilat përballen zyrtarët që luftojnë krimin e organizuar.

Ky incident vjen në një kohë kur CIA ka shtuar ndjeshëm aktivitetin e saj në Meksikë, duke u fokusuar në goditjen e karteleve të drogës. Sipas raportimeve, operacionet përfshijnë përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendase.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)