Moti i keq në Itali/ Përmbytje dhe shembje të tokës, mbyllen shkollat në disa krahina

Zona e Puglia-s, pjesa më e madhe e Basilicata-s dhe zona veriore e Kalabrisë në alarm portokalli. Situatë kritike nga rreshjet në disa komuna në jug të vendit, qytetarët janë këshilluar të mos dalin nga shtëpia.

04.12.2025. 12:51

Moti i keq në Itali/ Përmbytje dhe shembje të tokës, mbyllen shkollat në disa krahina

Italia vijon të përballet me kushte të rënduara atmosferike, sidomos në jug të vendit. Këtë të enjte, tre rajone ishin nën alarm portokalli, ndërsa pesë të tjera në alarm të verdhë. Probleme të shumta janë regjistruar në Pulia, Basilicata dhe Kalabri.

Pulia, e goditur që prej mbrëmjes së të mërkurës nga reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, ka marrë masa të menjëhershme. Disa komuna kanë vendosur mbylljen e shkollave, mes tyre Taranto, ku u vendos pezullimi i aktivitetit mësimor dhe formativ. Vendime të ngjashme u morën edhe në Crispiano dhe në zona të tjera të prekura, në Puglia-n qendrore, në provincën e Barit dhe Brindisit.

Sipas vlerësimit të Mbrojtjes Civile, alarmi portokalli do të mbetet në fuqi në të gjithë krahinën e Puglia-s, në pjesën më të madhe të Basilicata-s dhe në zonën veriore jonike të Kalabrisë. Alarm i verdhë mbetet në fuqi për disa zona të Toskana-s, Molise, Campagnia-s dhe pjesë të tjera të Basilicata-s e Calabrisë.

Njoftimi paralajmëron reshje intensive, stuhi elektrike, erëra të forta dhe rrezik të lartë të dallgëzimeve përgjatë vijës bregdetare. Qytetarët u këshilluan të shmangin lëvizjet e panevojshme, të mos përdorin automjetet, të mos zbresin në zona të poshtme si garazhe apo bodrume dhe të qëndrojnë larg urave e argjinaturave.

Shkollat u mbyllën edhe në provincën e Materas, ku në katër komuna u vendos mbyllja e institucioneve arsimore arsye sigurie. Situata ishte kritike edhe në Crotonese, ku reshjet intensive shkaktuan përmbytje dhe shembje të pjesshme të strukturave. Ekipet e zjarrfikësve zhvilluan 11 operacione urgjente, duke shpëtuar persona të bllokuar në automjete, si edhe duke garantuar sigurinë e banesave dhe bizneseve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)