Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e rektore e Kolegjit të Europës, pasi është nën hetim rreth dyshimeve për mashtrim dhe favorizim në projekte të financuara nga BE. Në një deklaratë të bërë pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit të enjten, Mogherini u shpreh: “Në përputhje me rigorozitetin dhe ndershmërinë me të cilën kam ushtruar detyrat e mia, kam vendosur sot të jap dorëheqjen si rektore”.
Dorëheqja e saj vjen një ditë pasi një tjetër zyrtar i lartë i BE-së, Stefano Sannino, njoftoi se do të dalë në pension në fund të dhjetorit, pasi edhe ai është përfshirë në këtë hetim si person nën dyshim. Sannino është kreu i Drejtorisë së Komisionit Europian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin Persik.
Hetimi, i udhëhequr nga Prokuroria e BE-së është përqendruar te një kontratë njëvjeçare dhënë për Kolegjin e Europës, për ngritjen e një Akademie për trajnimin e diplomatëve të rinj dhe nëpunësve të BE-së. Prokurorët dyshojnë se gjatë viteve 2021–2022 mund të ketë pasur bashkëveprim të parregullt ndërmjet Kolegjit dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së, përfshirë dyshime se Kolegjit mund t’i jetë dhënë informacion paraprak për tenderin, i cili ishte i hapur për universitete të ndryshme europiane.
Mogherini dhe të gjithë personat e përmendur vazhdojnë të prezumohen të pafajshëm ndërsa hetimi vijon. Pas daljes nga paraburgimi, Mogherini deklaroi: “Kam besim të plotë në sistemin e drejtësisë dhe besoj se korrektësia e veprimeve të Kolegjit do të vërtetohet. Do të ofroj bashkëpunim të plotë me autoritetet”.
Mogherini ka shërbyer si rektore e Kolegjit të Europës që prej vitit 2020, duke mbikëqyrur kampuset në Bryzh, Varshavë dhe Tiranë. Në vitin 2022 ajo mori gjithashtu drejtimin e akademisë diplomatike, një rol që në vitin 2024 u bë i përhershëm nga qeveritë e BE-së, me një financim prej 1,7 milionë euro në vit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)