Avioni i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky raportohet se është ndjekur nga të paktën 5 dronë të dyshimtë, teksa lideri i Kievit po fluturonte në drejtim të Dublinit këtë të hënë, aty ku zhvilloi takime të nivelit të lartë dhe ju premtua vazhdimësi e ndihmave për vendin e tij.
RTE News raporton se një një anije e Marinës Irlandeze vuri re të paktën pesë dronë që gjurmonin aeroplanin që transportonte Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Dublin.
Sipas medias irlandeze dronët e paidentifikuar të stilit ushtarak shkelën zonën e ndalim-fluturimit dhe u drejtuan për nga avioni i presidentit ukrainas. Madje sipas tyre figura të larta qeveritare u informuan pas pranisë së dronëve në qiellin irlandez natën kur Presidenti ukrainas mbërriti në kryeqytetin e vendit.
Ndërkohë Irish Times duke cituar burime nga autoritetet vendase raporton se zbulimi i dronëve të dyshimtë ngriti një alarm sigurie.
Bëhet me dije se ekuipazhi në bordin e anijes së marinës irlandeze LÉ William Butler Yeats vuri re disa dronë të paidentifikuar, të cilët nuk ishin për përdorim civil, në veri të Dublinit, por aktualisht nuk ka hetim nga Garda për këtë çështje. Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes thanë se për arsye sigurie operacionale, "nuk kanë koment mbi specifikat e ndonjë incidenti të supozuar".
Aeroplani që transportonte Zelenskyn, i cili mbërriti në Dublin më herët se sa ishte planifikuar, u ul pa incidente, vëren raporti.
Delegacioni ukrainas mbërriti në Dublin mesditën e së hënës dhe u nis të nesërmen, si pjesë e një udhëtimi që synonte sigurimin e mbështetjes nga evropianët mes pushtimit të vazhdueshëm rus.
Kujtojmë se fluturimet e dronëve me origjinë të panjohur kanë ndërprerë kohët e fundit trafikun ajror në pjesë të ndryshme të Evropës, ndërsa më parë një sulm kibernetik ka ndodhur në pajisjet GPS të avionit të vetë Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)