"Bëjeni Europën përsëri të madhe", BE nuk i përtyp kritikat e Trump, reagime të ashpra nga politikanët

Komisioni Evropian i është përgjigjur ashpër kritikave nga SHBA-të, të cilat ishin listuar në dokumentin 33 faqësh ku pasqyrohej strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA nën drejtimin e Donald Trump.

05.12.2025. 22:12

"Bëjeni Europën përsëri të madhe", BE nuk i përtyp kritikat e Trump, reagime të ashpra nga politikanët

Në strategjinë e publikuar të enjten, Uashingtoni kritikon Evropën dhe përsërit pretendimet e së djathtës ekstreme se kontinenti kërcënohet nga erozioni i qytetërimit për shkak të imigracionit. Dokumenti parashikon që brenda pak dekadash anëtarët e NATO-s do të bëhen kryesisht jo-evropianë dhe kritikon "censurën e supozuar të lirisë së fjalës dhe shtypjen e opozitës politike" në Evropë.

Përgjigjia e parë ndaj Trump ka ardhur nga zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, e cila hodhi poshtë pretendimin se BE po minonte liritë dhe sovranitetin politik, apo po dëmtonte kontinentin me politikat e saj të migracionit dhe po kërcënonte lirinë e shprehjes. Zëdhënësja portugeze nuk pranoi të komentonte më tej mbi dokumentin e SHBA-së, duke thënë se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për ta vlerësuar plotësisht atë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se Evropa nuk ka nevojë për "këshilla nga jashtë". "Ne e konsiderojmë veten të aftë për të diskutuar këto çështje plotësisht në mënyrë të pavarur në të ardhmen dhe nuk kemi nevojë për këshilla nga jashtë", tha ai, duke shtuar se do ta studionte më tej strategjinë amerikane.

Një reagim për dokumentin amerikan e pati edhe presidentja franceze e Liberalëve në Parlamentin Europian, Valerie Hayer, e cila e quajti atë "të papranueshëm dhe të rrezikshëm". “Administrata Trump nuk ka të drejtë të ndërhyjë në politikën tonë të brendshme”, shkroi ajo në platformën X.

Hayer beson se qeveria aktuale amerikane është "një armik i Evropës dhe se Bashkimi Europian duhet të ndalojë së trajtuari atë si mike".

Kolegia e saj, Nathalie Loiseau, nënkryetare e komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, i bëri thirrje BE-së "të mos pranojë të marrë leksione". “Nuk ka përgjigje tjetër përveç krijimit të kushteve për autonomi të vërtetë strategjike dhe ndërtimit të një Evrope të fortë që nuk lejon askënd të diktojë vendimet e shoqërisë së saj”, tha ajo për Agence France-Presse.

Ndërkohë, dokumenti i firmosur nga Trump thotë se problemet e mëdha me të cilat përballet Evropa përfshijnë "aktivitetet e BE-së dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë liritë dhe sovranitetin politik, politikat e migracionit që po transformojnë kontinentin dhe censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, shkallën e ulët të lindjeve dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit”.

Strategjia pohon gjithashtu se shumica dërrmuese e evropianëve duan paqe, por kjo dëshirë nuk reflektohet në politikë sepse qeveritë kombëtare po minojnë proceset demokratike.

Trump e përshkruan dokumentin prej 33 faqesh që specifikon strategjinë e sigurisë kombëtare të Amerikës si një plan që siguron që SHBA-të të mbeten "kombi më i madh dhe më i suksesshëm në historinë e njerëzimit".

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)