Një burrë është arrestuar nga policia në Aeroportin Heathrow të Londrës pasi disa persona u sulmuan me atë që dyshohet të jetë spray djegës në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3, mëngjesin e sotëm pak pas orës 08:00.
Sipas Policisë Metropolitane, “një numër personash u spërkatën me atë që besohet të jetë një formë e ‘pepper spray’ nga një grup burrash që më pas u larguan nga vendngjarja”. Një burrë u ndalua nën dyshimin për sulm, ndërsa të tjerët janë ende në kërkim, por incidenti nuk po trajtohet si akt terrorizmi.
Incidenti shkaktoi një situatë të rënduar në qarkullim brenda dhe rreth aeroportit. Linjat e metrosë LUL dhe Elizabeth Line u pezulluan, ndërsa drejtuesit e autobusëve u udhëzuan të mos largoheshin nga mjetet e tyre.
Hyrja e parkimit u bllokua, duke sjellë radhë të gjata automjetesh të mbetura brenda pa mundur të largohen.
Në rrjetet sociale u publikuan pamje të policisë së armatosur duke kontrolluar çdo automjet në parkim. “Kush e di çfarë po ndodh në Heathrow T3, jam i bllokuar këtu për gati një orë dhe policia e armatosur po kontrollon çdo makinë”, shkroi në platformën “X” një shofer i bllokuar.
Komandanti Pete Stevens tha se incidenti dyshohet të ketë nisur nga një debat i cili u përshkallëzua. “Nuk po e trajtojmë këtë incident si terrorizëm. E kuptoj shqetësimin e publikut dhe falënderoj ata për bashkëpunimin”, tha ai për Mirror.
Sipas një zëdhënësi të Policisw Metopolitane “Oficerët u thirrën në orën 08:11 pas raportimeve për disa persona të sulmuar”.
“I dyshuari i arrestuar ndodhet në paraburgim dhe hetimet vazhdojnë”, ka thënë ai.
Sakaq, një zëdhënës i Aeroportit Heathrow njoftoi se “ekipet tona po i përgjigjen incidentit në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)