Tragjedi në Tenerife, 4 viktima prej valëve anomale deri në tre metra të larta

Pushuesit, mes tyre edhe shtetas të huaj, u befasuan nga dallgët e forta në zonën e quajtur Los Gigantes, një pishinë natyrore në bashkinë turistike të Santiago de Teide.

08.12.2025. 14:46

Tragjedi në Tenerife, 4 viktima prej valëve anomale deri në tre metra të larta

Bilanci i viktimave nga dallgët e fuqishme që goditën të dielën bregdetin jugperëndimor të ishullit Tenerife në arkipelagun e Ishujve Kanarie, ka shkuar në katër persona. Viktima e fundit është një burrë, i cili pësoi arrest kardiocirkulator. Edhe pse u transportua me helikopter drejt spitalit, fatkeqësisht ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Alarmi u dha rreth orës 16:00 të së dielës, kur disa pushues u befasuan nga dallgët e forta në zonën e quajtur Los Gigantes, një pishinë natyrore në bashkinë turistike të Santiago de Teide. Një stuhi detare e fortë krijoi dallgë anormale me përmasa të mëdha, të cilat kapërcyen barrierën shkëmbore dhe goditën një grup personash që ndodheshin aty, duke i përplasur pas shkëmbinjve përreth. Mes tyre kishte edhe shumë turistë të huaj.

Sipas shërbimeve të emergjencës, edhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi pavarësisht faktit se autoritetet kishin shpallur që prej së premtes gjendjen e alarmit për det të trazuar në të gjitha ishujt e arkipelagut.

Megjithatë, sipas mediave lokale, vala e së dielës pasdite erdhi papritur. Me lartësi deri në tre metra, ajo i kapi në befasi personat që ndodheshin mbi shkëmbinj apo në ujë, në një zonë ku edhe deti që duket i qetë mund të bëhet shumë i rrezikshëm brenda pak çastesh. Tenerife ka përjetuar një tjetër ngjarje tragjike të ngjashme edhe më 8 nëntor, kur tre persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën si pasojë e dallgëve të fuqishme të detit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)