Nga Emmanuel Macron dhe Mario Draghi , te Henry Kissinger , te Luiz Inácio Lula da Silva dhe Pedro Sánchez , udhëheqësit kryesorë botërorë po i paraqesin doktrinat e tyre në faqet e Le Grand Continent. Të hënën, u botua edhe ajo e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç, i cili e ka vendosur theksin tek lufta në Ukrainë dhe nevoja e Ballkanit për siguri përballë agresionit të Moskës.
Mesazhi kryesor i Andrej Plenkoviç në tekstin e tij në Le Grand Continent thekson se momenti që e pret Evropën nuk duhet të frymëzojë frikë, por përkundrazi “të zgjojë vendosmërinë tonë”.
Plenkoviç e nis duke kujtuar se Kroacia është anëtari më i ri i BE-së por një nga vendet e pakta që shëmbëlltyrën e luftës e ka të frskët.
“Ne jemi një nga vendet e pakta, ndoshta i vetmi, me përjashtim të mundshëm të Sllovenisë dhe Qipros që ka përjetuar një luftë, rrjedha e së cilës është shumë e ngjashme me sulmin dhe agresionin rus ndaj Ukrainës në dhjetë vitet e fundit. Vetëm tre dekada më parë, një e katërta e territorit tonë ishte e pushtuar. Na u desh të strehonim 700,000 refugjatë nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, që përfaqësonin një të shtatën e popullsisë sonë. Na u desh ta bënim këtë ndërsa mbroheshim nën një embargo ndërkombëtare të padrejtë armësh. Ekziston një ndryshim i madh midis nesh dhe Ukrainës: ata kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, ndërsa ne vepronim me burimet tona të kufizuara. Pastaj e rindërtuam vendin tone dhe dëmi, në krahasim me madhësinë e ekonomisë sonë, ishte 20 herë më i madh se kostot që pësoi Japonia pas cunamit të vitit 2011. Ne rivendosëm stabilitetin, rindërtuam prosperitetin dhe, së fundmi, forcuam sigurinë tonë duke u bashkuar me NATO-n dhe të ardhmen tonë duke u bashkuar me Bashkimin Evropian”, shkruan Plenkoviç.
Evropa, paralajmëron më tej Plenkoviç, aktualisht po përballet me një mjedis sigurie që nuk ka qenë kurrë më i rrezikshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ai theksoi veçanërisht se për çfarë është përgjegjëse Rusia.
“Putini ka nisur gjashtë agresione të mëdha ushtarake që kur erdhi në pushtet. Të gjithë këtu e kujtojnë luftën në Çeçeni, pushtimin e Gjeorgjisë gjatë presidencës franceze të Këshillit në vitin 2008 dhe Lojërat Olimpike Verore, aneksimin e paligjshëm të Krimesë, luftën që përfshiu Donbasin, ndërhyrjen në Siri në mbështetje të regjimit të Asadit dhe, së fundmi, ofensivën e madhe kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Përveç agresionit të hapur ushtarak, Rusia ka qenë gjithashtu një burim veprimesh armiqësore dhe destabilizuese në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Ajo ka kryer sulme kibernetike ndaj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo ka tentuar dhe mbështetur një grusht shteti në Mal të Zi, të cilin pothuajse të gjithë e kemi harruar dhe ka sabotuar depo municionesh në Republikën Çeke. Përmes grupeve të saj paraushtarake, ajo ka nxitur paqëndrueshmëri në Libi, Republikën Qendrore Afrikane, Mali, Sudan dhe, së fundmi përmes Korpusit Afrikan në Niger. Këto kriza nuk janë të izoluara: seria e tyre rrjedh nga një strategji e qëllimshme dhe revizionizëm territorial që pasqyron një qëllim të vetëm dhe koherent strategjik: të përmbysë rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit dhe ta zëvendësojë atë me një botë të sunduar nga një fuqi e vetme”, shkruan kryeministri kroat.
Plenkoviç beson se është naive të mendosh se pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 do të jetë përpjekja e fundit ruse për të rivizatuar kufijtë.
“Për gati katër vjet tani, ukrainasit i kanë rezistuar një agresori shumë më të forte. Ukraina është, në fakt, vija e parë e mbrojtjes e Evropës dhe është thelbësore që unioni të vazhdojë ta mbështesë atë. Ky është një element kyç i diskutimeve që po zhvillohen aktualisht përpara takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian në Bruksel në fund të muajit. Nëse arrihet përfundimisht një marrëveshje paqeje, ajo do të duhet të jetë e pranueshme për Ukrainën dhe të përfshijë garanci sigurie mjaftueshëm të forta për të parandaluar Rusinë të vazhdojë luftën pasi forcat e saj të jenë rindërtuar. Evropa duhet të luajë gjithashtu një rol qendror në çdo marrëveshje të ardhshme sigurie: ne nuk mund të përjashtohemi nga vendimet që kanë të bëjnë me arkitekturën e sigurisë së kontinentit tonë”, thekson ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)