Mungesa e një vendi parkimi përpara kompleksit të pallateve ku banonte, e ka shtyrë një burrë në Vjenë që të vërë në punë kreativitetin dhe të gjejë një vend parkimi alternativ.
Siç raporton Bild, biznesmeni 28-vjeçar Amar Dezic, i cili jeton në lagjen Floridsdorf të kryeqytetit austriak, i frymëzuar edhe nga stili i parkimit të të pasurve në Dubai, e ngjiti Ferarrin e tij luksoz me një vinç në katin e parë të apartamentit të tij dhe e vendosi në ballkon.
Veprimi i Deziç surprizoi fqinjët dhe jo vetëm pasi videot nga ky moment janë bërë virale në rrjet.
Deziç, pronar i një dyqani pjesësh makinash dhe një punishteje akordimi në Vjenë, zotëron disa makina luksoze, duke përfshirë një BMË, një Porsche dhe një Ferrari me vlerë rreth 300,000 euro.
I ndikuar dukshëm nga Dubai, ku disa njerëz i shfaqin makinat e tyre luksoze brenda shtëpive të tyre në ashensorë të posaçëm, ai vendosi të bënte diçka të ngjashme.
Shtëpia e tij me sa duket nuk ka një sistem të posaçëm transporti automjetesh, kështu që me ndihmën e një vinçi ai e ngriti supermakinën 1.4 tonëshe në ballkon, gjë që i kushtoi disa mijëra euro, siç e pranoi vetë. Përveç kësaj, ai planifikoi të ndërtonte një vitrinë xhami me drita rreth makinës, duke e shndërruar atë në një atraksion.
Megjithatë, një ide kaq origjinale dhe njëkohësisht mbresëlënëse zgjoi interesin e banorëve të zonës, duke çuar në njoftimin e autoriteteve. Vetëm një javë pasi Ferrari u zhvendos në ballkon, policia ka kërkuar që automjeti të hiqet menjëherë, pasi sipas tyre ka rrezik të lartë nga zjarri. Një vinç pritet ta ulë atë nga ballkoni të premten dhe supermakina do të kalojë dimrin në magazinën e kompanisë së biznesmenit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)