Papa Leo XIV deklaroi se Evropa duhet të ketë një rol thelbësor në çdo marrëveshje paqeje për Ukrainën, duke kritikuar përpjekjet e administratës Trump për të “shkëputur” aleancën e vjetër SHBA-BE. Komentet e tij erdhën pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po zhvillon një tur diplomatik për të siguruar mbështetje të mëtejshme europiane për Kievin.
Papa tha se me Zelensky diskutoi nevojën për një armëpushim dhe përpjekjet e Vatikanit për kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë nga autoritetet ruse. I pyetur për propozimin amerikan për paqen dhe rolin e kufizuar të Europës në proces, Leo u shpreh se është e pamundur të arrihet një marrëveshje pa përfshirjen e vendeve europiane. “Lufta zhvillohet në Europë. Siguria e sotme dhe e së ardhmes kërkon garanci dhe Evropa duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje,” theksoi ai.
Zelensky ka bërë të ditur se propozimi i paqes përfshin tre dokumente, një kornizë me 20 pika, garancitë e sigurisë dhe planin e rindërtimit të Ukrainës.
Papa komentoi gjithashtu strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës Trump, duke paralajmëruar se ajo mund të ndryshojë rrënjësisht marrëdhënien historike midis SHBA-së dhe Europës. Ai shprehu shqetësim se disa deklarata të presidentit Trump synojnë të dobësojnë aleancën transatlantike.
Vatikani ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj konfliktit, ndërsa ka ofruar ndihmë humanitare dhe mbështetje për “popullin e martirizuar të Ukrainës”. Papa Leo ka bërë thirrje të përsëritura për armëpushim dhe ka kërkuar nga Rusia të ndërmarrë hapa konkrete për paqe, ndërsa Selia e Shenjtë po vijon përpjekjet për riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të marrë nga forcat ruse.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)