Meloni nxjerr në ankand dhuratat e liderëve të huaj, mes tyre edhe shallin e kryeministrit Rama

Nga tapetet te bizhuteritë, për të vijuar me këpucët prej pitoni apo setin e filxhanëve të porcelanit. Në total janë 270 sende, vlera e të cilave përllogaritet në rreth 800 mijë euro.

11.12.2025. 22:40

Meloni nxjerr në ankand dhuratat e liderëve të huaj, mes tyre edhe shallin e kryeministrit Rama

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të nxjerrë në ankand një pjesë të dhuratave të marra gjatë vizitave zyrtare nëpër botë. Dhuratat që do të shiten janë me vlerë mbi 300 euro, të cilat, sipas ligjit, kryeministrja nuk mund t’i mbajë për vete. Sipas burimeve, vlera totale e objekteve që do të dalin në ankand arrin rreth 800 mijë euro.

Shitjen e sendeve do ta administrojë shtëpia e njohur e ankandeve “Bertolami Fine Art” në Romë, e vendosur në pallatin historik Caetani Lovatelli. 270 dhuratat e marra nga kryeministrja italiane kanë qëndruar të magazinuara në “Palazzo Chigi”.

Lista e plotë e objekteve nuk është publikuar ende, por një ide jepet nga inventari i paraqitur më parë në përgjigje të një interpelance parlamentare të deputetit të “Italia Viva”, Francesco Bonifazi. Dhurata më e hershme është një veshje tradicionale e grave të Keralas, dhuruar nga kryeministri indian Narendra Modi gjatë G-20 në Bali në nëntor 2022.

Mes objekteve që do të dalin në ankand është edhe dhurata e kryeministrit shqiptar Edi Rama: një shall të cilin ia dha në Abu Dhabi për 48-vjetorin e lindjes së Melonit. Orenditë e tjera janë sa të pazakonta, aq edhe ekzotike.

Disa prej dhuratave janë veçanërisht kurioze: nga statuja e Javier Milei me një sharrë elektrike, dhuratë nga presidenti argjentinas gjatë vizitës së tij në Romë, te një thes oriz nga Pakistani, gamilje të vogla dekorative nga Libia. Po ashtu ka një statujë prej cope, dhuratë nga politikani italian Michele Emiliano, si edhe rreth 15 tapete të marrë gjatë vizitave në Libi dhe vendet arabe.

Në listë gjenden gjithashtu dy byzylykë, katër piktura, një pjatë metalike, një varëse, një unazë dhe një palë vathë. Po kështu, në inventar përfshihen edhe një set çaji prej porcelani nga Viktor Orbán, një tas qeramike dhuruar nga ish-presidenti amerikan Joe Biden, këpucë blu prej pitoni nga një stiliste saudite si edhe vazo, bizhuteri, dhe një sëpatë e vogël si valixhe e kuqe.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)