Autoritetet polake kanë parandaluar një sulm të planifikuar terrorist në një treg Krishtlindjesh, i cili dyshohet se ishte frymëzuar dhe mbështetur nga Shteti Islamik. Shërbimet e sigurisë arrestuan në nëntor në qytetin e Lublin një student 23-vjeçar, të identifikuar si Mateusz W., i cili akuzohet për përgatitje të një sulmi me eksplozivë dhe përpjekje për t’u lidhur me një organizatë terroriste.
Sipas zëdhënësit të shërbimeve speciale të Polonisë, Jacek Dobrzynski, qëllimi i të dyshuarit ishte të frikësonte popullsinë dhe të mbështeste ISIS-in. Gjatë hetimeve, Agjencia e Sigurisë së Brendshme sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera të lidhura me ideologjinë ekstremiste.
Prokuroria e ka akuzuar të riun për ndërmarrje veprimesh përgatitore për një sulm që mund të kishte shkaktuar viktima të shumta. I dyshuari është vendosur në paraburgim për tre muaj.
Autoritetet nuk kanë zbuluar qytetin ku planifikohej sulmi, për të shmangur panikun public, por ky rast vjen pas disa ngjarjeve të ngjashme në Poloni, përfshirë arrestimin e tre të rinjve në qershor për plane terroriste.
Zyrtarët polakë kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, veçanërisht gjatë periudhës së festave, në një kohë kur Europa dhe vende të tjera janë përballur me sulme të ngjashme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)