Polonia dhe Hungaria duket se kanë nisur një “luftë të ftohtë” mes tyre pas mosdakordësisë mbi fondet që BE aprovoi për Ukrainën. Me një gjest tepër ironik ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski ia dha çmimin “Lenin” kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili kundërshton përdorimin e aseteve ruse për të financuar përpjekjet e luftës në Ukrainë, e po ashtu edhe kredinë europiane për të financuar Kievin.
"Urime", Sikorski, duke iu përgjigjur një postimi të Orban. Ministri i Jashtëm polak e shoqëroi postimin e tij me një foto të Çmimit Lenin, i cili mban imazhin e udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit.
Nderimi më i lartë civil sovjetik, i vendosur në vitin 1930, jepet për merita dhe shërbime të shquara ndaj Bashkimit Sovjetik. Sikorski po i përgjigjej në fakt një postimi të kryeministrit hungarez, në të cilin Orban mburrej se kishte “arritur të parandalonte rrezikun e menjëhershëm të luftës”.
“Ne e ndaluam Evropën të shpallte luftë ndaj Rusisë duke përdorur asetet ruse”, shkroi Orban pas samitit të BE-së në Bruksel.
Pas ironisë së shefit të diplomacisë në Varshavë erdhi dhe reagimi nga Hungaria, me ministrin e Jashtëm Péter Szijjártó, i cili përgjigjen e dha po në platformën “X”.
“Ju jeni në favor të një lufte midis Evropës dhe Rusisë. Ne kurrë nuk do të biem dakord”, theksoi ai.
Evropianët vendosën sot të mbështesin financiarisht Ukrainën për të paktën dy vitet e ardhshme me një kredi prej 90 miliardë eurosh, por pa përdorur asetet e ngrira ruse, pasi nuk pati marrëveshje për këtë çështje.
Marrëveshja u arrit nga 27 shtete anëtare, por operacioni do të kryhet vetëm me 24, pasi Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke vendosën të mos marrin pjesë në të dhe Orban u duk tepër i gëzuar për këtë vendim kundër unionit. “Kredia do të ishte një barrë për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona”, tha ai.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk, i cili është në favor të përdorimit të aseteve ruse, e hodhi poshtë argumentin e Orbanit.
"Kjo kredi vjen nga rezerva fleksibile buxhetore e miratuar vite më parë dhe e financuar nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë Hungarinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë", theksoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)