Pasagjerët e një fluturimi të kompanisë ajrore Ryanair drejt Tenerife të Spanjës përjetuan momente frike pasi avioni i nisur nga Britania hasi turbulenca të forta menjëherë pas ngritjes, duke u detyruar të kthehej emergjentisht në aeroportin e nisjes.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 28 dhjetor, dhe për pasojë disa pasagjerë pësuan lëndime të lehta.
Sipas raportimit të medias, fluturimi FR1121, i operuar me një avion Boeing 737 Max, u nis nga aeroporti i Birminghamit rreth orës 15:05 pasdite. Rreth 40 minuta pas ngritjes, avioni kishte arritur një lartësi prej 10 mijë metrash dhe po kalonte mbi bregdetin francez, pranë qytetit Morlaix në rajonin e Brittany.
Në atë moment, shërbimi për pasagjerët ishte duke u zhvilluar në kabinë, kur avioni hyri papritur në një zonë me turbulenca të forta. Për arsye sigurie, pilotët morën vendimin për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Avioni u ul normalisht në Birmingham rreth 90 minuta pas ngritjes dhe u parkua në një zonë të veçantë të aeroportit. Pasagjerët u larguan nga avioni dhe u kthyen në terminal, ku disa prej tyre morën ndihmë mjekësore.
Në një deklaratë zyrtare, Ryanair konfirmoi se “një numër i vogël pasagjerësh morën trajtim mjekësor”, duke theksuar se ulja u krye në mënyrë të sigurt.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)