Parlamenti Evropian ka vendosur të pezullojë procesin e ratifikimit të marrëveshjes tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Vendimi vjen pas deklaratave dhe kërcënimeve të Presidentit amerikan, Donald Trump për çështjen e Groenlandës, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta në Bruksel.
Lajmi u konfirmua nga Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Evropiane dhe udhëheqës i fraksionit më të madh në Parlamentin Evropian, në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.
Sipas tij, pezullimi i ratifikimit të marrëveshjes së nënshkruar verën e kaluar përbën një mesazh të qartë politik ndaj Uashingtonit. “Kjo do të thotë se produktet amerikane nuk do të kenë akses pa tarifa në tregun e brendshëm të BE-së”, deklaroi Weber.
Më 26 janar, eurodeputetët pritej të votonin për qëndrimin zyrtar të Parlamentit mbi heqjen e tarifave për mallrat industriale amerikane, një element kyç i marrëveshjes tregtare.
Megjithatë, sipas mediave evropiane, pakënaqësia ndaj retorikës së Trump ka bërë që një numër ligjvënësish të kërkojnë shtyrjen ose anulimin e votimit.
Ndërkohë, “Financial Times” raporton se shtetet anëtare të BE-së po shqyrtojnë masa hakmarrëse tregtare me vlerë deri në 93 miliardë euro kundër SHBA-së, në kuadër të një përplasjeje më të gjerë politike që lidhet edhe me çështjen e Groenlandës.
Ky zhvillim rrezikon të thellojë më tej përçarjet ekonomike dhe diplomatike mes dy aleatëve tradicionalë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)