“Tarifa deri në 200% për verën dhe shampanjën”, kërcënimet e Trump ndaj Macron

Krizës ndërkombëtare i shtohet përplasja mes Uashingtonit dhe Parisit, presidenti francez vendosi të mos i bashkohet nismës amerikane për “Bordin e Paqes”.

20.01.2026. 16:16

“Tarifa deri në 200% për verën dhe shampanjën”, kërcënimet e Trump ndaj Macron

Marrëdhëniet mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidentit francez Emmanuel Macron janë përshkallëzuar ndjeshëm. Krizës ndërkombëtare, ku përfshihen tensione tregtare, diplomatike dhe të politikës globale, i shtohet edhe përplasja ndërmjet Uashingtonit dhe Parisit.

Arsyeja lidhet me kërcënimin e Trump, se do të vendosë tarifave doganore deri në 200% ndaj verës dhe shampanjës francize. Qëndrimi është një mjet presioni politik ndaj Parisit. Masa e paralajmëruar nga vetë presidenti amerikan, erdhi si reagim ndaj vendimit të Macron, që mos ti bashkohej nismës amerikane për krijimin e “Bordit të Paqes” për rindërtimin e Gazës.

Sipas burimeve diplomatike, Franca e ka refuzuar iniciativën, duke e konsideruar përçarëse dhe potencialisht në kundërshtim me rolin e Kombeve të Bashkuara në menaxhimin e krizave ndërkombëtare. Parisi ka theksuar se çdo proces rindërtimi në Gaza duhet të udhëhiqet nga mekanizma shumëpalësh dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Kërcënimi për tarifa të larta ndaj produkteve simbol të Francës rrezikon të hapë një front të ri konflikti tregtar mes dy aleatëve tradicionalë. Kërcënimet e Trump ndaj Macron vijnë në një moment delikat për stabilitetin global dhe për marrëdhëniet transatlantike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)