Me miratimin e Rusisë, takimi i parë trepalësh me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara fillon të diskutojë garancitë e siguris , si dhe aspektet ekonomike që lidhen me përpjekjen për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Marrëveshja për formatin e takimit, që do të mbahet në Abu Dhabi, u arrit gjatë bisedimeve në Kremlin natën e së enjtes, më 22 janar, dhe u konfirmua zyrtarisht nga këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov, në fund të një takimi që zgjati tre orë e gjysmë midis Presidentit Vladimir Putin dhe delegacionit amerikan.
Putinit iu bashkua këshilltari diplomatik presidencial Yuri Ushakov dhe përfaqësuesi special Kirill Dmitriev. Nga pala amerikane, takimi përfshinte të dërguarin special presidencial Steve Witkoff, dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner dhe për herë të parë, këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë Josh Gruenbaum, një ekspert për çështjet ekonomike.
"Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord që takimi i parë i grupit të punës trepalësh Rusi-SHBA-Ukrainë për çështjet e sigurisë do të mbahet në Abu Dhabi më 23 janar", u tha Ushakov gazetarëve.
Ndërkohë, Kryeministri hungarez Viktor Orban ka akuzuar Bashkimin Evropian se dëshiron të zgjasë luftën në Ukrainë, duke argumentuar se vendet kryesore të kontinentit nuk po kërkojnë vërtet një armëpushim.
Në një intervistë të botuar në Il Corriere della Sera, Orban e lidhi gjithashtu kritikën e tij me vendimin e Budapestit për t'u bashkuar me Bordin e ri të Paqes, të promovuar nga administrata amerikane dhe të paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos për të promovuar paqen dhe rindërtimin në Lindjen e Mesme.
Orban, së bashku me Bullgarinë, të përfaqësuar nga kryeministri në largim Rosen Zelyazkov, është i vetmi udhëheqës i një vendi të Bashkimit Evropian që ka rënë dakord të bashkohet me Bordin e Paqes, një vendim që rrezikon të krijojë përçarje të reja me Brukselin dhe partnerët e saj evropianë, duke pasur parasysh qëndrimin tradicional kritik të Hungarisë ndaj sanksioneve kundër Moskës dhe mbështetjen ushtarake për Kievin.
Kur u pyet për iniciativën, Orban e ktheu përgjigjen me pyetje. "Dhe pse nuk janë të tjerët këtu? Kjo është pyetja e duhur”, tha ai.
Lideri hungarez raportoi se kishte diskutuar Bordin e Paqes me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila i shpjegoi vështirësitë kushtetuese të Italisë në anëtarësimin në organizata të reja ndërkombëtare, duke shtuar se "për Hungarinë, rregullat janë më të thjeshta".
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)