Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, ka deklaruar se në Emiratet e Bashkuara Arabe është zhvilluar një takim trepalësh mes delegacioneve të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, duke e cilësuar këtë format si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës. Sipas tij, fakti që Rusia ka pranuar të ulet në tryezën e bisedimeve tregon një gatishmëri për t’i dhënë fund konfliktit që vetë e ka nisur.
Në fjalim, Zelensky tha se përfaqësuesit ukrainas e informojnë vazhdimisht për ecurinë e takimeve, të cilat po zhvillohen aktualisht në Abu Dabi. Ai theksoi se ka kaluar një kohë e gjatë pa pasur takime në këtë format trepalësh dhe se diskutimet po fokusohen në detajet e përfundimit të luftës. “Është e rëndësishme që Rusia të jetë e gatshme të përfundojë këtë luftë, ashtu siç e dëshiron edhe Ukraina”, u shpreh ai.
Zelensky theksoi se qëndrimet e Ukrainës janë të qarta dhe se ai ka përcaktuar kornizën e dialogut për delegacionin ukrainas. Në bisedime janë të përfshirë zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov dhe drejtues të shërbimeve të inteligjencës, ndërsa pritet që delegacionit t’i bashkohen edhe përfaqësues të tjerë ushtarakë.
Megjithatë, presidenti ukrainas u shpreh se është ende herët për të nxjerrë përfundime konkrete nga këto bisedime. Ai theksoi se përveç vullnetit të Ukrainës për paqe dhe siguri të plotë, është e domosdoshme që edhe Rusia të tregojë realisht të njëjtin vullnet për t’i dhënë fund luftës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)