Rreth 1 700 ndërtesa banimi në Kiev, mbeten pa ngrohje pas një serie sulmesh me raketa dhe dronë që goditën qytetin gjatë kësaj fundjave, njoftoi të dielën kryebashkiaku Vitalii Klitschko.
Sulmet e fundit janë pjesë e një ofensive të vazhdueshme që ka goditur rëndë sistemin energjetik të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se objektivat kryesore të Moskës janë energjia, infrastruktura kritike dhe banesat e qytetarëve. Ai shtoi se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka përdorur më shumë se 1 700 dronë sulmues, mbi 1 380 bomba dhe 69 raketa kundër Ukrainës.
Zelensky nënvizoi rrezikun e madh që paraqesin sulmet masive dhe bëri apel për një mbështetje më të fortë ndërkombëtare.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba bëri me dije se ekipet teknike kanë arritur të rikthejnë ngrohjen në një pjesë të ndërtesave, duke ulur numrin e tyre pa energji nga 6 000 në mëngjes në mbi 3 200 në mbrëmje.
Klitschko shtoi se gjatë 24 orëve të fundit është rikthyer ngrohja për më shumë se 1 600 ndërtesa dhe puna për rikthimin e plotë të shërbimeve vazhdon.
Sulmi i fundit ka ndodhur ndërkohë që negociatorë nga Ukraina, Rusia dhe SHBA po zhvillonin bisedime në Abu Dhabi për mundësi përfundimi të konfliktit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)