Transportohej me gjysmë-nëndetëse, kapet sasia më e madhe e drogës në Portugali

Marina portugeze sekuestroi 9 tonë kokainë në një gjysmënëndetëse që udhëtonte nga Amerika Latine.

Burimi: Euronews

26.01.2026. 19:49

Transportohej me gjysmë-nëndetëse, kapet sasia më e madhe e drogës në Portugali

Autoritetet portugeze kanë realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës të regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit, pas ndalimit të një mjeti gjysmë-nëndetës pranë ishujve Azore.

Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit të koduar “Adamastor” dhe çoi në kapjen e rreth nëntë tonë kokainë në Oqeanin Atlantik.

Droga po transportohej nga Amerika Latine drejt Europës me një mjet gjysmë-nëndetës, i cili u ndalua 230 milje detare larg Ishujve Azore. Sipas Policisë Gjyqësore të Portugalisë, në bord ndodheshin tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian, të cilët u shpëtuan para fundosjes së mjetit dhe më pas u arrestuan. Ata dyshohen se janë pjesë e një rrjeti kriminal ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Autoritetet bënë me dije se mjeti transportonte rreth 300 pako kokaine, nga të cilat 265 u rikuperuan, ndërsa pjesa tjetër humbi në det gjatë fundosjes së mjetit.

Destinacioni përfundimtar i ngarkesës nuk është bërë publik, por hetuesit theksuan se droga ishte e destinuar për shpërndarje në disa vende të Europës.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Marinën dhe Forcat Ajrore Portugeze, si dhe me autoritetet amerikane dhe britanike. Hetimet vijojnë nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore, ndërsa rasti konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkontinental të drogës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)