Shkollë në verë, Italia gati të ndryshojë pushimet e nxënësve

Modeli që po merret si referencë është ai i disa vendeve europiane, si Anglia apo Franca, në të cilat ka më tepër periudha pushimi gjatë vitit.

27.01.2026. 11:19

Shkollë në verë, Italia gati të ndryshojë pushimet e nxënësve

Në Itali është hapur debati rreth rishikimit të kalendarit shkollor, me synim nxitjen e turizmit dhe për të ndryshuar periudhat klasike të pushimeve. Propozimi është hedhur nga ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanchè, gjatë Forumit të Tretë Ndërkombëtar të Turizmit në Milano.

“Ndryshimi i sezonit të turizmit”, ky është qëllimi i nismës. Sipas Santanchè, kalendari aktual shkollor në Itali i përqendron pushimet kryesisht në dy periudha të vitit, në verë dhe në dimër. Ndërkohë, në shumë vende të Europës perëndimore pushimet janë të shpërndara më në mënyrë të balancuar gjatë vitit.

“Duam të propozojmë një përafrim gradual me modele europiane më moderne, ku pushimet shkollore ndahen në disa periudha gjatë vitit”, u shpreh ministrja. Santanchè tha se ky sistem nuk e ndihmon turizmin, pasi krijon mbingarkesë në pikun e sezoneve dhe kufizon familjet në pushimet e tyre gjatë pjesës tjetër të vitit.

Ajo konfirmoi se është hapur një dialog me ministrin e Arsimit, Giuseppe Valditara, për të nisur punën rreth rishikimit gradual të kalendarit shkollor. Modeli që po merret si referencë është ai i disa vendeve europiane, si Anglia apo Franca, në të cilat ka më tepër periudha pushimi gjatë vitit, por pushimet e verës janë më të shkurtra.

Sipas ministres italiane të Turizmit, një reformë e tillë do të sillte shpërndarje më të mirë të flukseve turistike, përfitime për familjet dhe rritje të qëndrueshme të sektorit turistik. Gjatë vitit 2025, ku regjistroi 3% rritje të turistëve, Italia ka kaluar për herë të parë Francën për nga numri i vizitorëve, duke u renditur e dyta në Europë dhe duke iu afruar Spanjës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)