Administrata e Trump i ka komunikuar Ukrainës se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara do të jenë të vlefshme vetëm nëse Kievi nënshkruan një marrëveshje paqeje me Rusinë, e cila mund të përfshijë dorëzimin e rajonit të Donbass-it. Lajmi raportohet nga mediat amerikane.
Washington-i ka lënë të kuptohet se do të ishte e gatshme të furnizonte Ukrainën me më tepër armë për të forcuar ushtrinë në kohë paqeje. Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse ata pranojnë të tërheqin forcat ushtarake nga zonat lindore që kontrollojnë. Ky cilësohet si “çmimi që duhet të paguhet për paqen”.
Presidenti Volodymyr Zelensky shpreson se këtë muaj do të nënshkruajë dokumentin për garancitë e sigurisë me SHBA-të dhe “planin e prosperitetit”, për të fituar më shumë “zë” në negociatat e ardhshme me Moskën. Megjithatë, zyrtarët ukrainas dhe ata europianë e kritikojnë këtë qëndrim të amerikanëve.
Ata e konsiderojnë projektin si një përpjekje për të Shtyrë Kievin drejt lëshimit të dhimbshëm të territoreve, të cilat Rusia i ka kërkuar gjithmonë me këmbëngulje gjatë negociatave. Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë ende miratimin përfundimtar për garancitë e sigurisë apo për planin e prosperitetit, edhe pse Zelensky kishte deklaruar se tekstet e diskutuara me presidentin Trump në Davos ishin “100% gati”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)