20 milionë euro për viktimat e aksidentit hekurudhor në Spanjë, opozita kërkon dorëheqje

Spanja ka vendosur të kompensojë familjet e viktimave dhe të plagosurit në aksidentin hekurudhor në Adamuz, ku humbën jetën 45 persona dhe u lënduan 150 të tjerë.

Burimi: Reuters

27.01.2026. 18:16

20 milionë euro për viktimat e aksidentit hekurudhor në Spanjë, opozita kërkon dorëheqje

Qeveria spanjolle ka miratuar një paketë kompensimi prej rreth 20 milionë eurosh për personat e prekur nga aksidenti tragjik hekurudhor, ku 45 persona humbën jetën dhe mbi 150 të tjerë mbetën të plagosur.

Vendimi u konfirmua nga ministri i Transportit, Oscar Puente, i cili sqaroi se familjet e viktimave do të përfitojnë nga një shumë prej 216 mijë eurosh secila. Shpërndarja e këtyre fondeve pritet të realizohet brenda një periudhe maksimale prej tre muajsh.

Paketa përfshin gjithashtu 72 mijë euro në formë lehtësimi fiskal, një pagesë të menjëhershme prej 72 mijë eurosh nga sigurimi, si dhe një shumë shtesë prej 72 mijë eurosh nga sigurimi i detyrueshëm për udhëtarët.

Sa i përket të lënduarve, ministri bëri të ditur se kompensimet do të luhaten nga 2,400 deri në 84,000 euro, në varësi të shkallës së dëmtimeve fizike të pësuara nga secili.

Duke folur për mediat, Puente theksoi se procedurat standarde ligjore shpesh nuk arrijnë t’u përgjigjen nevojave urgjente që lindin pas ngjarjeve tragjike. “Në raste të tilla, mbështetja nuk mund të vonohet për vite me radhë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ministri i Transportit po përballet me kritika të forta publike, pas aksidentit fatal në Adamuz dhe një sërë incidentesh të tjera të ndodhura gjatë së njëjtës javë. Mes tyre përfshihet edhe humbja e jetës së një drejtuesi treni në Katalonjë, si dhe dy aksidente të tjera pa pasoja në njerëz.

Në këtë klimë tensioni, Partia Popullore, forca kryesore opozitare, ka kërkuar largimin e Puentes nga detyra. I pyetur lidhur me përgjegjësinë e tij politike, ministri deklaroi se ndihet i qetë në ndërgjegje, se po ushtron detyrën me përkushtim dhe se po u vë në dispozicion qytetarëve çdo informacion të mundshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)