"I dashur Mark, evropianët mund të bëjnë pa SHBA-në", Parisi në ‘luftë të ftohtë’ me shefin e NATO-s

Një luftë e ftohtë duket se ka nisur mes Parisit dhe shefit të NATO-s, Mark Rutte, pas deklaratave të tij, ku thekson se Europa nuk mund të mbrohet pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

27.01.2026. 21:27

"I dashur Mark, evropianët mund të bëjnë pa SHBA-në", Parisi në ‘luftë të ftohtë’ me shefin e NATO-s

Franca reagoi ashpër ndaj deklaratës së bërë ditën e djeshme nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili argumentoi se Evropa nuk mund të mbrohet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Rutte i bëri këto deklarata gjatë një seance të Parlamentit Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga eurodeputeti francez i ekstremit të djathtë, Pierre-Romain Thionet, i cili nënvizoi se ideja e një ushtrie evropiane është anakronike dhe nuk mund të përballojë sfidat moderne.

Përgjigja e Ministrit të Jashtëm Francez, Jean-Noel Barrot, ishte e menjëhershme dhe kategorike.

“Jo, i dashur Mark Rutte. Evropianët mund dhe duhet të marrin përsipër sigurinë e tyre. Edhe SHBA-të janë dakord. Kjo është shtylla evropiane e NATO-s”, tha ai.

Kundërshtimi i Francës ndaj deklaratave të Rutte u përforcua nga zyrtarë të tjerë, si Muriel Domenac, një ish-ambasador francez në NATO, që tha se strategjia e forcimit të sigurisë evropiane përmes garancisë amerikane është e vjetëruar dhe i dërgon mesazhin e gabuar Rusisë.

Franca nuk është i vetmi vend që mbështet forcimin e shtyllës evropiane të NATO-s. Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, i tha radios franceze se realiteti i sotëm kërkon forcimin e pranisë ushtarake të Evropës brenda NATO-s dhe se kjo ide, e propozuar nga Franca disa vjet më parë, tani mbështetet nga vende të tjera, si Gjermania.

Debati vjen në një kohë kur Uashingtoni, nën drejtimin e Trump, ka thënë se Amerika do të zvogëlojë përfshirjen e saj në sigurinë e Evropës. Strategjia e re e mbrojtjes kombëtare të SHBA-së, e publikuar të premten, thotë se evropianët duhet të marrin rolin udhëheqës në reagimin ndaj kërcënimeve dhe thekson se Evropa është ekonomikisht dhe ushtarakisht e aftë të mbrohet, veçanërisht kundër Rusisë.

Përveç kësaj, vendimi i SHBA-ve për të nxitur rritjen e shpenzimeve ushtarake në Evropë ka pasur ndikim, pasi vitin e kaluar arriti të bindë vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së.

Ministri i Jashtëm francez tha se BE duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit, pa u varur nga Amerika, duke theksuar nevojën për një shtyllë të fortë evropiane brenda NATO-s.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)