Agjentët e Emigracionit (ICE) të Shteteve të Bashkuara, që prej ditësh janë në qendër të një skandali për vrasjen e dy qytetarëve në Minnessota, do të ofrojnë mbështetje për operacionet e sigurisë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore 2026 në Milano-Cortina.
Lajmi është konfirmuar nga vetë drejtuesit e kësaj force amerikane për agjencinë e lajmeve AFP.
Agjentët do të bashkëpunojnë me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit amerikan dhe autoritetet italiane për të identifikuar dhe zvogëluar rreziqet nga organizatat kriminale transnacionale.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta lokale. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, e ka quajtur këtë pjesëmarrje si të papranueshme: “Është një milici që hyn në shtëpitë e njerëzve me leje të firmosur, nuk janë të mirëpritur në Milano. Si italian, nuk ndjehem i mbrojtur nga Piantedosi që thotë se nuk ka problem nëse vijnë agjentët e ICE.”
Ndërkohë, ka nisur një peticion në Change.org me mbi 15.600 nënshkrime që kërkon përjashtimin e ICE nga Olimpiada, duke argumentuar se prezenca e tyre mund të dëmtojë vlerat universale të ngjarjes.
Nga ana e qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani sqaroi se agjentët nuk do të marrin pjesë në rendin publik dhe se siguria do të mbetet përgjegjësi e Italisë.
Agjentët e ICE do të jenë të përfshirë vetëm në bashkëpunim për antiterrorizëm, në një prani shumë të kufizuar, ndërsa një takim i ardhshëm mes ministrit të Brendshëm dhe ambasadorit amerikan do të diskutojë detajet e pjesëmarrjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)