Zjarr në hotelin me 5 yje në Francë, evakuohen me qindra persona

Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së martës në një hotel luksoz me 5 yje në resortin e njohur të Courchevel në Francë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra persona nga disa godina përreth.

Burimi: bfmtv

28.01.2026. 09:59

Zjarr në hotelin me 5 yje në Francë, evakuohen me qindra persona

Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së martës në një hotel luksoz me 5 yje në resortin e njohur të Courchevel në Francë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra persona nga disa godina përreth. Flakët përfshinë çatinë e hotelit dhe u përhapën drejt një ndërtese ngjitur, ndërsa operacioni pëe shuarjen e flakëve vijoi edhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Sipas autoriteteve, fillimisht u evakuuan mbi 90 persona nga hoteli i përfshirë nga zjarri dhe rezidenca “Grandes Alpes”. Më pas, për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, edhe 192 persona të tjerë u nxorën nga hoteli fqinj “Le Lana”. Në total, 279 persona u evakuuan dhe u strehuan në një ambient të sigurt.

“Pamë shumë zjarrfikës që mbërritën, çatia që nisi të nxirrte tym dhe më pas flakët… gjithçka ndodhi shumë shpejt”, tregoi për mediat një dëshmitar okular.

Shefi i shërbimit zjarrfikës konfirmoi se “nuk ka viktima për momentin”, por sqaroi se ndërhyrja ishte komplekse për shkak të dëborës së madhe mbi çati, e cila e vështirësonte nxjerrjen e tymit dhe kontrollin e flakëve.

Në terren u angazhuan 131 zjarrfikës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit në këtë zonë të njohur për hotele gjigante prej druri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)