I moshuari shqiptar shkoi të vidhte manaferra dhe vdiq në pus, 6 muaj burg pronarit italian të tokës

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2017 në Perugia, gjykata vlerësoi se pusi nuk kishte mbrojtje apo mbulesë dhe për këtë arsye përbënte rrezik.

10.03.2026. 10:21

I moshuari shqiptar shkoi të vidhte manaferra dhe vdiq në pus, 6 muaj burg pronarit italian të tokës

Një 77-vjeçar me origjinë shqiptare humbi jetën pasi ra në një pus, teksa kishte hyrë në një pronë private për të mbledhur manaferra në Tuoro sul Trasimeno, në provincën e Perugias. Ngjarja ndodhi në vitin 2017 në Itali, ndërsa pas procesit gjyqësor që zgjati tetë vite, Gjykata e Apelit dënoi bashkëpronarin e tokës me gjashtë muaj burg për vrasje nga pakujdesia.

Sipas gjykatës, pronari nuk kishte marrë masat e nevojshme për sigurinë e pusit të vjetër, i cili ishte i pambrojtur dhe i mbuluar nga bimësia. Gjykata vlerësoi se pusi nuk kishte mbrojtje apo mbulesë dhe për këtë arsye përbënte rrezik. Argumentet e mbrojtjes, sipas të cilave viktima kishte hyrë në tokë pa dijeninë e pronarëve dhe se prona ishte e rrethuar, u hodhën poshtë nga gjyqtarët, të cilët theksuan se rrethimi ishte i dobët dhe lehtësisht i kalueshëm.

Trupi i 77-vjeçarit u gjet në një pus rreth tre metra të thellë dhe rreth një metër e gjysmë në diametër, i mbuluar nga shkurre. Ai u zbulua nga një qen i zjarrfikësve pas një nate kërkimesh, të nisura pasi familjarët njoftuan autoritetet për zhdukjen e tij. Burri ishte larguar nga shtëpia rreth orës 19:00 dhe kur nuk u kthye deri në mesnatë, familja kërkoi ndihmën e karabinierëve.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)