Jo vetëm mungesa e karburantit dhe rritja e çmimeve të tij në treg. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit mund të sjellë gjatë muajve të verës edhe mungesa të barnave. Pas luftës në Ukrainë dhe krizës në Detin e Kuq, tensionet në Lindjen e Mesme përbëjnë “tronditjen e tretë në harkun e katër viteve” për industrinë farmaceutike.
Kështu paralajmëronjnë ekspertët europianë, që kërkojnë ndërhyrje nga BE dhe denoncojnë rritje të kostove të prodhimit me “mbi 20%”. Këto kosto ekstra, i shtohen atyre të akumuluara që nga viti 2021. Nëse konflikti në Iran nuk përfundon brenda pak muajsh, ky zhvillim mund të çojë në mungesa barnash dhe pasoja në Podhimin e Brendshëm Bruto në shumë vende të kontinentit.
Rritja e çmimit të naftës ka sjellë pasoja konkrete: +25% për aluminin, +15% për përbërësit aktivë dhe +25% për qelqin apo për letrën për paketim. Kjo situatë po vë nën presion zinxhirët e furnizimit dhe po nxit edhe fenomene grumbullimi. Në një treg me çmime të rregulluara, rritja e kostove bie e gjitha mbi kompanitë, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e prodhimit.
Lucia Aleotti, nënkryetare e Confindustria në Itali, paralajmëroi se mund të ketë kufizime në furnizimin me barna përtej Adriatikut por edhe në të gjithë Europën, ndoshta duke filluar nga vera ose pas saj. Një tjetër problem madhor është varësia nga jashtë për lëndët e para dhe materialet e paketimit, veçanërisht nga Kina dhe India. Rreth 74% e përbërësve aktivë vijnë nga këto vende, çka e bën Europën të cenueshme në kohë krizash, siç ndodhi gjatë pandemisë së COVID-19.
Ndërkohë, Unioni po humbet terren në inovacion përballë vendeve si SHBA, Kinë apo vendet e Gjirit, të cilat po investojnë më shumë në zhvillimin e molekulave të reja dhe kërkimin klinik. Industria farmaceutike kërkon reforma që të mos penalizojnë sektorin, sidomos në lidhje me mbrojtjen e patentave. Ky sector mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë së vendeve të Bashkimit Europian, me prodhimin që arrin në vlerën e miliarda eurove, por edhe me mijëra vende pune.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)