Ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Europian pritet të votojnë të mërkurën për një tjetër paketë të rëndësishme financiare në mbështetje të Ukrainës. Më konkretisht bëhet fjalë për një kredi prej 90 miliardë eurosh.
Sipas një zëdhënësi të presidencës qipriote të BE-së, çështja është përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes së “Coreper II” më 22 prill, si një pikë “pa diskutim”, që do të thotë se do të kalojë direkt në votim. “Modifikimi i rregullores së Kuadrit Financiar Shumëvjeçar është elementi i fundit i nevojshëm për të mundësuar disbursimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën”, thuhet në deklaratë.
Nëse fondi miratohet, Unioni do të nisë një procedurë e shkruar për miratimin përfundimtar të vendimit, i cili deri tani ishte bllokuar nga Hungaria. Ndërkohë, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos është shprehur optimiste se ndryshimi i qeverisë në Hungari mund të ndihmojë në zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Ukrainës në BE.
“Ne nuk po humbasim kohë në rrugën e anëtarësimit të Ukrainës. Tani jemi optimistë se me mbështetjen e qeverisë së re hungareze, Këshilli do të jetë së shpejti në gjendje të hapë zyrtarisht të gjitha grupet negociuese”, u shpreh ajo gjatë një dëgjese në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Kos shtoi se vetëm dy javë më parë Parlamenti ukrainas miratoi ligje të rëndësishme që do të zhbllokojnë edhe 2.7 miliardë euro të tjera mbështetje buxhetore nga Fondi për Ukrainën. Ajo theksoi se fundi i prillit do të jetë një moment kyç për stabilizimin e nevojave financiare të Ukrainës, ndërsa nënvizoi se kredia prej 90 miliardë eurosh mund të miratohet sapo të rifillojë furnizimi me naftë përmes gazsjellësit Druzhba, që pritet të ndodhë brenda kësaj jave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)