Mediat amerikane raportojnë një tjetër bilanc viktimash nga protestat kundër regjimit në Iran, i cili është disa herë më i lartë nga të dhënat e mëparshme.
Sipas revistës amerikane Time, gjatë dy ditëve të protestave më 8 dhe 9 janar, në rrugët e Iranit mund të jenë vrarë mbi 30 mijë persona. Kjo shifër bazohet në dëshmitë e dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
Burimet kanë deklaruar se gjatë atyre dy ditëve ambulancat nuk mjaftonin më dhe u zëvendësuan me kamionë të mëdhenj me 18 rrota për transportin e viktimave.
Vlerësimi prej 30.304 të vdekurish, thekson Time, nuk përfshin personat e plagosur që më pas kanë ndërruar jetë në spitalet ushtarake, as viktimat në zona ku autoritetet nuk kanë dhënë bilance zyrtare.
Sipas rindërtimit të ngjarjeve nga revista, miliona njerëz kishin dalë në rrugë në të gjithë vendin, kur autoritetet iraniane bllokuan internetin dhe çdo formë tjetër komunikimi me botën e jashtme. Dëshmitarë okularë dhe pamje të filmuara me telefona celularë tregojnë snajperë të pozicionuar mbi çati dhe kamionë të pajisur me mitraloza të rëndë që hapnin zjarr ndaj protestuesve.
Më 9 janar, një zyrtar i Gardës Revolucionare paralajmëroi në televizionin shtetëror se kushdo që do të dilte në rrugë duhet ta pranonte rrezikun, duke deklaruar: “Nëse ju godet një plumb, mos u ankoni.”
Protestat e 8 dhe 9 janarit shënuan një përshkallëzim të fortë të tensioneve, edhe pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili në ditët paraprake kishte kërcënuar regjimin iranian me ndërhyrje ushtarake, nëse do të vazhdonte shtypjen e dhunshme të demonstratave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)