Një sistem amerikan i mbrojtjes ajrore “Patriot” është vendosur në juglindje të Turqisë, pranë një baze radari të NATO-s, si pjesë e masave të aleancës për të rritur mbrojtjen kundër kërcënimeve me raketa që lidhen me luftën mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, sistemi është dislokuar në provincën Malatya, ku ndodhet edhe baza e radarit të NATO-s në Kurecik. Ky radar siguron të dhëna të rëndësishme për aleancën dhe ka ndihmuar së fundmi në identifikimin e dy raketave balistike iraniane që po drejtoheshin drejt Turqisë gjatë javës së kaluar.
Sipas autoriteteve turke, vendosja e këtij sistemi është pjesë e përpjekjeve të NATO për të përforcuar mbrojtjen ajrore të vendit përballë rreziqeve të mundshme.
“Përveç masave që ndërmarrim në nivel kombëtar, janë rritur edhe masat e mbrojtjes ajrore dhe raketore nga NATO. Në këtë kuadër, një sistem Patriot është vendosur në Malatya për të kontribuar në mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se nuk është në luftë me vendet e rajonit dhe ka mohuar se ka shënjestruar drejtpërdrejt Turqinë. Megjithatë, Ankaraja ka paralajmëruar Teheranin që të mos lëshojë më raketa drejt territorit të saj.
Çështja është diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike mes presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)