Lufta e naftës ngre alarmin për Luftën e Ujit, pika e dobët e Gjirit Persik
Shumica e vendeve në Lindjen e Mesme nuk mbështeten te lumenjtë, burimet nëntokësore apo reshjet për furnizimin me ujë, por te uji i detit i pastruar përmes desalinimit.
Ndërsa lufta mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara hyn në javën e tretë, vëmendja nuk është vetëm te nafta, por edhe te një burim tjetër jetik për vendet e Gjirit Persik: uji i pijshëm. Një dron iranian ka goditur tashmë një impiant desalinimi në Bahrein dhe ekspertët paralajmërojnë se sulmet ndaj infrastrukturës ujore mund të kenë pasoja të menjëhershme dhe shkatërruese për rreth 200 milionë banorë të rajonit.
Shumica e vendeve të Gjirit nuk mbështeten te lumenjtë, burimet nëntokësore apo reshjet për furnizimin me ujë, por te uji i detit i pastruar përmes desalinimit. Sipas të dhënave të “Qendrës Studimore të Gjirit”, Bahreini mbulon 95% të nevojave për ujë përmes këtij procesi, Kuvajti 90% ndërsa Arabia Saudite 79%. Rajoni prodhon rreth 40% të ujit të desalinuar në botë, përmes më tepër se 400 impiante që prodhojnë rreth 100 milionë metra kub ujë në ditë.
Foto nga web
Në vitin 2023, tetë shtetet e Gjirit prodhuan 7,2 miliardë metra kub ujë të pijshëm nga desalinimi. Arabia Saudite është prodhuesi më i madh me rreth 3 miliardë metra kub, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 1,9 miliardë. Impianti më i madh në botë ndodhet në Ras Al-Khair në Arabinë Saudite dhe ka kapacitet mbi një milion metra kub ujë në ditë, ndërsa në Emirate një nga qendrat kryesore është kompleksi i Fujairah, që furnizon Abu Dhabin.
Megjithatë, këto impiante përbëjnë edhe një pikë të ndjeshme strategjike. Arabia Saudite konsumon rreth 300 mijë fuçi naftë në ditë për t’i mbajtur në funksion desalinuesit, ndërsa shumë prej tyre prodhojnë njëkohësisht ujë dhe energji elektrike. Kjo do të thotë se një sulm ndaj rrjetit energjetik mund të ndërpresë menjëherë edhe furnizimin me ujë.
Rreziku nuk është vetëm teorik. Autoritetet e Bahreinit konfirmuan se një dron iranian ka goditur një impiant desalinimi, ndërsa Irani ka akuzuar SHBA-në për dëmtimin e një strukture të ngjashme në ishullin Qeshm, duke lënë pa ujë rreth 30 fshatra. Ngjarje të ngjashme janë parë edhe në konflikte të tjera, si në Ukrainë apo Gaza, duke treguar se infrastruktura ujore mbetet gjithmonë një objektiv për të siguruar supremaci në luftë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me presidentin francez Emmanuel Macron me të cilin bisedoi tema të ndryshme nga siguria e kufijve tek rritja e kapaciteteve mbrojtëse.
Mediat iraniane raportojnë se ka humbur jetën si pasojë e bombardimeve të fundit një nga shkencëtarët më të rëndësishëm në vend, i njohur si krijuesi i programit bërthamor.
Fidan theksoi se konflikti mund të lërë pasoja afatgjata, duke thelluar armiqësitë mes shteteve dhe shoqërive dhe duke penguar zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal.
Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga uji. Gjithashtu, në operacion morën pjesë karabinierët dhe njësia e zhytësve.
Komente (0)