Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni dhe Irani kanë zhvilluar bisedime “produktive” gjatë fundjavës, duke shtuar se ka vendosur të shtyjë për pesë ditë sulmet e planifikuara ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.
Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se vendimi për të pezulluar përkohësisht sulmet u mor bazuar në ecurinë pozitive të diskutimeve mes dy palëve. Ai u shpreh se gjatë dy ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime të detajuara dhe konstruktive, të cilat synojnë një zgjidhje të plotë të tensioneve në Lindjen e Mesme.
“Jam i kënaqur të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive për një zgjidhje të plotë të armiqësive në Lindjen e Mesme. Bazuar në tonin dhe përmbajtjen e këtyre diskutimeve të thelluara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes të shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të ecurisë së bisedimeve”, shkroi Trump.
Sipas tij, këto kontakte diplomatike do të vijojnë edhe gjatë javës, ndërsa rezultati i tyre do të përcaktojë hapat e mëtejshëm të administratës amerikane. Trump bëri të ditur se ka udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes që të pezullojë çdo sulm ndaj centraleve energjetike dhe objekteve të tjera strategjike iraniane për një periudhë pesëditore.
Më herët, presidenti amerikan kishte paralajmëruar se do të godiste objektivat nëse Irani nuk do të lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Vetëm pak ditë më parë, Trump kishte deklaruar se nuk ishte i interesuar për një armëpushim me Iranin, duke lënë të kuptohej se tensionet mund të përshkallëzoheshin. Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se kanë hapur një dritare të re për dialog dhe ulje të përkohshme të tensioneve mes vendeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)