Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë caktuar datën 9 prill si afat të mundshëm për përfundimin e luftës me Iranin, ndërsa pritet nisja e negociatave mes palëve në ditët në vijim, raportojnë mediat izraelite.
Sipas të përditshmes Yedioth Ahronoth, që citon një zyrtar izraelit anonim, Uashingtoni ka lënë rreth tre javë kohë për vijimin e luftimeve dhe përpjekjeve diplomatike. Burimi thekson se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohen në Pakistan.
Megjithatë, sipas raportimeve, Uashingtoni nuk ka ndarë detaje me Izraelin lidhur me kontaktet me kryetarin e Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf. Nga ana tjetër, ky i fundit i ka mohuar kategorikisht negociatat, duke i cilësuar raportimet si “lajme të rreme” që synojnë manipulimin e tregjeve financiare dhe të naftës.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka urdhëruar shtyrjen për pesë ditë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke përmendur zhvillimin e bisedimeve “shumë të mira dhe produktive” me Teheranin.
Konflikti në rajon vijon të mbetet i tensionuar që prej ofensivës së përbashkët të nisur më 28 shkurt nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, e cila ka shkaktuar mbi 1,340 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Si kundërpërgjigje, Teherani ka ndërmarrë sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si dhe ndaj objektivave në Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe pasoja në tregjet globale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)