Irani ka vendosur të ndërpresë eksportet e gazit natyror drejt Turqia, pas një sulmi ajror të ndërmarrë nga Izraeli mbi fushën gjigante të gazit “South Pars” më 18 mars, raporton Bloomberg.
Sipas të dhënave të Shoqatës Turke të Shpërndarësve të Gazit Natyror, rreth 14% e furnizimit me gaz të Turqisë gjatë vitit të kaluar vinte nga Irani, çka e bën këtë ndërprerje të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit.
Megjithatë, Ankaraja vijon të furnizohet me gaz nga partnerët kryesorë si Rusia dhe Azerbajxhani, ndërsa disponon edhe rezerva të mjaftueshme për të përballuar situatën në afat të shkurtër, bëjnë me dije burimet, të cilat kërkuan të mbeten anonime për shkak të natyrës konfidenciale të informacionit.
Ministria turke e Energjisë nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjen.
Sulmi izraelit ndaj South Pars, fushës më të madhe të gazit në botë, ka rritur ndjeshëm tensionet në rajon. Në kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës energjetike në vendet arabe të Gjirit Persik, përfshirë kompleksin Ras Laffan në Katar, i cili prodhon rreth një të pestën e gazit natyror të lëngshëm në nivel global.
Zhvillimet e fundit pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke shtuar pasigurinë dhe rrezikun për rritje të çmimeve në një moment të ndjeshëm për furnizimin global.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)