Teprica tregtare e Kinës kalon 1 trilion dollarë për herë të parë në 2025

BE shpreh shqetësim për fluksin e produkteve kineze në tregjet europiane, teksa presidenti francez, Macron paralajmëroi tarifa të reja ndaj Pekinit nëse nuk ulet deficiti tregtar me Unionin.

08.12.2025. 15:35

Teprica tregtare e Kinës kalon 1 trilion dollarë për herë të parë në 2025

Teprica tregtare e Kinës me pjesën tjetër të botës ka tejkaluar për herë të parë 1 trilion dollarë. Sipas Administratës Doganore kineze, nga janari deri në nëntor ajo arriti në 1,08 trilion dollarë, ndërsa eksportet rezultuan mbi parashikimet e “Bloomberg”.

Eksportet u rritën me 5,9% në nëntor në baza vjetore, më shumë se pritshmëritë, por dërgesat drejt SHBA-së ranë me 28,6%. Rënia e eksporteve amerikane u kompensua nga tregjet e tjera, theksoi Zichun Huang nga “Capital Economics”. Importet u rritën vetëm me 1,9%, më pak se parashikimi, duke reflektuar kërkesën e dobët të brendshme.

Rritja e eksporteve në nëntor ndihmoi në zbutjen e ngadalësimit ekonomik në tremujorin e katërt, i ndikuar edhe nga kriza e sektorit të pasurive të paluajtshme. Tensionet tregtare me SHBA-në u rritën pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse një samit mes presidentit amerikan dhe Xi Jinping në tetor solli një zbutje të përkohshme.

Ndërkohë, BE shpreh shqetësim për fluksin e produkteve kineze në tregjet europiane, teksa presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi tarifa të reja ndaj Pekinit nëse nuk ulet deficiti tregtar me Unionin Europian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)